Të rinjtë e Rahovecit dhurojnë gjak

Prishtinë | 30 Nën 2016 | 14:09 | Nga

Enti Kombëtar i Kosovës për Transfuzion të Gjakut në Prishtinë ka organizuar aksion për dhurimin e gjakut në shkollat e mesme të Rahovecit.

Për dy ditë me radhë shumë të rinj kanë pasur mundësi që të dëshmojnë humanizëm dhe gatishmëri për të ndihmuar njerëzit në nevojë, dhe numri i dhuruesve të gjakut nuk ka qenë i vogël. Dje aksioni ka dalë me sukses në shkollën e mesme “Xhelal Hajda-Toni”, ndërsa sot në shkollën profesionale “Selajdin Mullabazi-Mici”, ku numri i të interesuarve për të dhuruar gjak ishte mjaft i madh.

Albana Gashi, menaxhere për marketing dhe informim pranë EKKTGj, tha se Rahoveci është në hartën e rajoneve që dhurojnë gjak dhe po bëhet një qendër me rëndësi për dhurim të gjakut. Pas fshatit Dejnë dhe Ratkoc, aksioni po zgjerohet edhe në zonat tjera të komunës, shtoi Gashi.

Duhet përmendur fakti se aksione për dhurim të gjakut janë organizuar edhe nga individë dhe përfaqësues të komunitetit në disa fshatra të komunës së Rahovecit.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme