Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, mbi 111 mijë votues të rinj mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës që i takon.
Ndër vite e votat e reja janë parë si vendimtare në përzgjedhjen e subjektit i cili do të qeverisë në katër vjetët e ardhshme.
Por ndonëse pritet që votën e tyre ta hedhin për herë të parë, disa të rinj të Prishtinës të intervistuar nga EkonomiaOnline, presin ndryshime pas 6 tetorit.
Për Don Bulliqin, student në Universitetin e Prishtinës, korrupsioni mbetet problemi kryesor në vend.
“Kjo është hera e parë për vota, unë pres me fitua ajo që kom me ja vendos votën kismet. Ajo ka me bo shumë ndryshime sipas programit që e ka bo, sepse këta tjerët na kanë lodhë më, si i ri e kam pa korrupsionin më së shumti në Kosovë”, thotë ai.
E sipas Herolind Malokut, shteti nuk po bën asgjë për studentët, përderisa shprehet se qeveritë e kaluara janë përqendruar vetëm në asfalt, por jo edhe në sistemit arsimor.
“Po për mu janë zgjedhjet e para, nuk besoj që pres kurgjo më shumë se sa qysh ka shkua viteve tjera, ne nuk kemi përparua qe 19 vjet, nuk pres as tash ma shumë, si 19 vjeçar kurrfarë benefite nuk kam pas prej shtetit tim, krejt i kam prej Nënës edhe Babës, jam dalë jashtë kam pa, një student nuk duhet me punua por duhet me i pas prej shtetit, këtu duhesh me punu, për me pagu semestrin e fakultetit. Ata s’kanë bo kurgjo përveç asfaltit e këtyre tjerave kurgjo”, thotë ai.
Edhe për Dea Çerkezin, gjendja në arsim mbetet çështja që po i preokupon më së shumti të rinjtë.
“Jam votuese për herë të parë sivjet, nuk është që jam shumë fort e inkuadruar në politikë po shpresoj me pas ndryshim, më së pari në arsim se jam vetë studente dhe po e shoh çka po bëhet çdo ditë e më tepër. Gjendjen në arsim nuk e shoh kurrqysh hiq, në fakt nuk është mirë hiq, por shpresoj që do bëhet mirë”, thotë ajo.
Për Arlind Ibishin nuk është aq me rëndësi cila parti do të udhëheqë me vendin, por shpresën për një të ardhme më të mirë, thotë se e ka pas 6 tetorit.
“Besoj që cila parti te merr, do të bëjë për të mirën e Kosovës dhe ta çojë vendin përpara dhe të bëj për të mirën e Kosovës, sa oshtë dashtë me punu nuk kanë punua por shpresojmë që pas këtyre zgjedhjeve të punojnë për Kosovën tonë”.
Problemet e të rinjve janë të ndryshme, por papunësia është ajo që më së shumti i preokupon të rinjtë e Kosovës.
Kështu mendon Hasan Beqiri, i cili poashtu këtë vit voton për herë të parë.
“Pres një të ardhme të mirë për Kosovën edhe pse na kanë dëshpëruar deri tash por ishallah sa më mirë, nuk ka problem veç cila të fiton veç me pas ditë më të mira për Kosovën, deri tash nuk është kanë fort mirë, për neve për gjeneratat e reja është problem, për studentë se nuk po të jep zgjidhje as për punësim, as arsimim e as kurgjo”.
Kosova këtë vit mban zgjedhjet e 7-ta parlamentare, të cilat erdhën menjëherë pas dorëheqjes së kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, ndërsa data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, është më 6 tetor, ditën e diel.