Përfaqësues të Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike kërkuan sot që Zyra e Auditorit të auditojë zbatimin e kontratës ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) në lidhje me pagesat e faturave të energjisë elektrike në veri të Mitrovicës.
Kryetari i komisionit, Driton Selmanaj, tha se Zyra e Auditorit duhet të zhvillojë një auditim “me pa sesa është niveli i zbatimit të kontratës mes Qeverisë dhe KEDS-it”.
Ai kërkoi, po ashtu, që subvencionet në bujqësi që auditohen nga Zyra e Auditorit.
Mërgim Lushtaku, anëtar i Komisionit nga radhët e PDK-së, e mbështeti propozimin që të bëhet një auditim sa i përket çështjes së faturave të energjisë elektrike në veri të vendit.
“Është mirë të rishikohet si tematikë e veçantë, të bëhet një auditim në këtë fushë. I dimë të gjeturat e Avokatit të Popullit që i ka ngritur dhe besoj që është shqetësim për të gjithë. Në bazë të asaj të gjeture, edhe pse Qeveria e Kosovës, ka bërë pagesa për pjesën veriore të Mitrovicës, ka bërë pagesa për faturat e rrymës, ato nuk janë largu nga faturimi i saj dhe për neve është shqetësuese kështu që këtë çështje duhet me auditu”, tha Lushtaku.
Shqyrtohet Projektligji për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike
Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike në mbledhjen e mbajtur sot shqyrtoi Projektligjin për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike dhe Planin Vjetor të punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Ky komision u pajtua që të krijohet një grup punues prej 4-5 veta për shqyrtimin e Projektligjit për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, raporton Ekonomia Online.
Kryesues i komisionit, Driton Selmanaj, propozoi krijimin e një grupi punues prej 4-5 persona që do të shqyrtojnë në detaje Projektligjin për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike.
“Të krijojmë një grup punues që merret në detaje me shqyrtimin e këtij projektligji, ky grup kryen punën e vet dhe në fund na i japim vulën si komision, sepse kështu kryhet puna më shpejtë dhe pastaj raportohet para komisionit”, tha Selmanaj.
Blerim Kuçi i AAK-së, fillimisht, kundërshtoi krijimin e këtij grupi punues duke thënë se të gjithë anëtarët e komisionit mund të angazhohen për të sjellë detaje të këtij Projektligji.
“Të gjithë së bashku i kryejmë edhe i marrim vendimet dhe i aprovojmë. Del si problem nëse caktohet vetëm një grup i personave, por unë rekomandoj që kush ka kohë të merret me këtë, sepse del problem dhe teknik nëse merret një grup i caktuar”, tha Kuqi.
Edhe Mërgim Lushtaku i PDK-së tha se të gjithë duhet të japim kontributin në këtë komision. Por, Lushtaku theksoi se duhet t’iu ndahen përgjegjësitë secilit anëtar. “Çdo anëtar ka përgjegjësi për çdo projektligj që vjen në këtë komision”.
“Këto praktika kanë qenë edhe në të kaluarën. Vetë komisioni konsiderohet si grup punues, por është mirë me i nda detyrat”, tha Lushtaku.