Në festivalin e birrës që është duke u mbajtur në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka pasur të shtëna armësh. Kjo ka bërë që shumë qytetarë, shumica e të cilëve ishin të rinj, të largohen në panik, duke shtyrë dhe shkelur njëri-tjetrin.
Sipas pamjeve të siguruara nga Ekonomia Online, përveç demolimeve të tavolinave e karrigeve shihen edhe shenja gjaku.
Sipas dëshmive ende të pakonfirmuara, një person ka mbetur i plagosur.
Policia ka dalë ne vendin e ngjarjes për të hetuar rastin, dhe pritet të dalë së shpejti me një njoftim.
Manifestimi i cili ishte planifikuar të zgjasë disa orë është ndërprerë para mesnatës.
“Beer Fest” ishte paralajmëruar të zgjasë tri net. Tani organizatorët thonë se do të njoftojnë me kohë nëse ky aheng tradicional, që përcillet me muzikë e pirje birrash, do të anulohet.
Policia: Incidenti nuk ka lidhje me ndonjë sulm terrorist
Menjëherë pas të shtënave, në mesin e pjesëmarrësve në koncert janë përhapur thashetheme për një sulm të mundshëm terrorist.
“Gjatë të shtënave, dikush ka bërtitur: ‘ISIS-i’, duke nxitur edhe më shumë panik”, ka treguar B.D., një i ri nga Prishtina.
Por, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se incidenti nuk ka të bëjë më ndonjë sulm terrorist.
FOTOT EKONOMIA ONLINE: