Të shtëna me armë në mes të rrugës në Prishtinë, arrestohet një person

Prishtinë | 20 Shk 2023 | 11:36 | Nga Ekonomia Online

Rastet e të shtënave me armë zjarri janë bërë mjaft të shpeshta dhe jo rrallëherë përfundojnë me të plagosur e madje edhe tragjikisht. Përdorimi i armëve nëpër rrugë e hapësira publike po cenon kështu edhe sigurinë e qytetarëve. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë, në rrugën “Richard Holbrooke” në Prishtinë.

Këtë herë i dyshuari dhe viktima ishin në komunikacion kur ndodhi incidenti, motivet e të cilit akoma nuk dihen. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se rasti është denoncuar nga viktima, i cili ka raportuar se një person e kishte ndalur teksa ishte me veturë dhe më pas ka shtënë me armë zjarri në ajër.

Bazuar në dëshminë e tyre, Sinjali mëson se i dyshuari (emër i njohur për redaksinë) fillimisht e kishte ndalur të dyshuarin, e më pas ka tentuar ta frikësojë duke e nxjerrë armën, të cilën e shkrepi 1 herë.

Posa rasti është denoncuar, një njësi policore ka intervenuar, ku në vendin e ngjarjes kanë gjetur një gëzhojë, që është sekuestruar nga Policia dhe janë bërë ekzaminimet e nevojshme.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe ndaj tij të iniciohen rastet për dy vepra penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Të ngjashme