Në vazhdën e angazhimeve të vazhdueshme në parandalimin e të shtënave në ahengje Policia në rajonin e Mitrovicës po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Mitrovicës.
Siç njofton Policia, vetëm gjatë dy ditëve të fundit, njësitë policore në Mitrovicë kanë reaguar në tri raste të ndryshme ku kishte informacione të përdorimit/gjuajtjes me armë zjarri në ahengje.
“Rasti i parë është raportuar në një aheng në fshatin Zhabar Mitrovicë, ku Policia ka konfiskuar një armë pistoletë, si dhe ka arrestuar personin e dyshuar për përdorim të armës”.
“Rasti i dytë i konfiskimit të një pistolete është raportuar në Skenderaj, dhe njësitë policore kanë identifikuar lokacionin ku ishin dëgjuar të shtëna në aheng. Në këtë rast një person është arrestuar, nga i cili është konfiskuar pistoleta me të cilën dyshohet se ka shtënë në një aheng familjar”.
“Rasti i tretë është raportuar në Vushtrri, dhe njësitë policore kanë identifikuar lokacionin ku ishin dëgjuar të shtëna në aheng, e që me këtë rast një person është arrestuar, nga i cili është konfiskuar një armë gjuetie me të cilën dyshohet se ka shtënë në një aheng familjar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas procedurave intervistuese tre të dyshuarit janë liruar për procedurë të rregullt. Ndaj tyre është iniciuar procedurë për veprat penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll i paautorizuar i armës”.