Të vjetrit emërohen prokurorë të rinj

Prishtinë | 22 Dhj 2016 | 08:37 | Nga

Më anë të një votim të fshehtë anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë zgjedhur kryeprokurorët e rinj të prokurorive themelore nëpër gjithë vendin.

Ndonëse me mandat të ri, në tri nga shtatë prokuroritë themelore, kryeprokurorët e zgjedhur janë po ata kryeprokurorë që kanë qenë në katër vjetët e fundit.

Ndërsa, ndryshime ka pasur vetëm në katër prokuroritë themelore të Kosovës.

Me kryeprokurorë të rinj janë bërë Gjakova, Prizreni, Ferizaj e Peja, ndërkaq në Prokurorinë e Prishtinës, të Gjilanit dhe të Mitrovicës do të vazhdojnë të udhëheqin kryeprokurorët të cilët kanë qenë edhe në mandatin e kaluar.

Pavarësisht se Komisioni për vlerësimin e kandidatëve për kryeprokurorë e kishte renditur në vendin e dytë për nga pikët, kryeprokurori i tanishëm i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ymer Beka, është rizgjedhur edhe për një mandat të ri për ta udhëhequr prokurorinë më të madhe në vend.

Me gjashtë (6) vota për, dy (2) kundër dhe një (1) të pavlefshme anëtarët e Këshillit Prokurorial e kanë përzgjedhur kryeprokurorin Beka edhe për një mandat katërvjeçar në krye të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Ndërsa, kundërkandidati i Bekës, Valdet Gashi, i cili ishte i pari në listë i propozuar nga Komisioni për vlerësimin e kryeprokurorëve ka arritur që t’i marrë vetëm dy nga nëntë (9) votat e anëtarëve të Këshillit Prokurorial.

Përveç Bekës, në pozitën e kryeprokurorit kanë mbetur edhe dy kolegët e tij në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, respektivisht në atë të Mitrovicës.

Në krye të Prokurorisë Themelore në Gjilan është zgjedhur kryeprokurori i deritanishëm i kësaj Prokurorie, Jetish Maloku.

Maloku ka arritur t’i marrë tetë (8) vota për dhe një kundër nga anëtarët e Këshillit Prokurorial dhe përmes tyre është emëruar edhe për një mandat katërvjeçar në krye të Prokurorisë Themelore të Gjilanit. (Zeri)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme