Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka diskutuar lidhur me nënshkrimin e planit të përbashkët rajonal në Hagë, për persona të zhdukur, i lansuar nga Komiteti Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (KNPZH), raporton Ekonomia Online.
Mbajtësi i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka tha se Serbia nuk është gatshme të jap informacione lidhur me të zhdukurit.
“Komisioni qeveritar ka qenë në Hagë pas Samitit të Londrës ku është iniciuar një kornizë, por nuk është nënshkruar fatkeqësisht për shkak të një plani të Kroacisë. Hapi konkret i deklaratës së kryeministrave ka qenë nisma. Plani kornizë është nënshkruar si shtet i barabartë me të gjitha shtetet tjera, një falënderim i takon Britanisë e cila ka insistuar të përfaqësohemi si shtet. Serbia është shume e gatshme me nënshkruar gjithçka, por kur është koha me dhënë informacione ajo nuk është e gatshme. Ne kemi vazhduar me punën pas nënshkrimit të planit kornizë në Hagë”, ka thënë Lluka.
Ai ka folur për implementimin e këtij pani kornizë. Lluka ka thënë se ky vit nuk ka qenë shumë i suksesshëm për gjetje të mbetjeve mortore të të zhdukurve gjatë luftës.
“ Ne do jemi të gatshëm dhe jemi përpara të tjerëve. Ne jemi në ngritje të kapaciteteve tona. Kemi probleme me çështjet e familjareve sepse organizimet rajonale organizohen nga një organizatë në Bosnje e që nuk e pranon Kosovën. Plani kornizë do të implementohet për 3 vite. Kemi pas gërmime në 10 lokacione dhe 2 lokacione që ka pas gjetje. Jemi duke e prit edhe radarin tokësor mirëpo ende nuk kanë dalë rezultatet. Ky vit nuk ka qenë shume i suksesshëm me gjetje. Janë ndarë 25 mijë euro për organizatat e regjistruara që ndihmojnë në gjetje”, ka thënë Lluka, raporton EO.
Ai tha se ka pasur kërkesa edhe nga stafi i EULEX-it që të marrin prap detyrat që i kanë pasur.
“Në morgun e Prishtinës ka shumë probleme. Kemi insistuar që të gjithë ata që janë në morgun e Prishtinës që nuk kanë të bëjnë me luftën dhe të zhdukurit, të kenë një varr dinjitoz. Unë kërkoj bashkëpunim me ju”, ka thënë Lluka.