Teatri Kombëtar i Kosovës është detyruar të hyjë në borxh për të mos i dështuar prezantimi në festivalin ndërkombëtar të teatrit “MESS” në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës.
Një ditë pas afatit, menaxhmenti i TKK-së, pasi i ka huazuar mjetet për të mbuluar shpenzimet e vizave e të sigurimeve shëndetësore të ekipit, e ka nënshkruar kontratën me organizatorët e festivalit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Me shfaqjen “Bordel Ballkan”, ky institucion do të prezantohet në “MESS”, por kjo pjesëmarrje u rrezikua në mungesë të 1 mijë e 300 eurove, sa i duheshin fillimisht, e të cilat nuk janë bartur nga ana e Ministrisë së Kulturës.
Kontrata me organizatorët ka qenë dashur të nënshkruhej të hënën, por një gjë e tillë ka ndodhur tek të martën.
Milot Mustafa, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të TKK-së, ka konfirmuar se të martën e ka nënshkruar kontratën me festivalin, përderisa hyrja në borxh ka qenë “zgjidhja” për të mos hequr dorë nga prezantimi në festival.
“Organizatori në TKK, Beqir Beqiri, sot (e mërkurë) do të udhëtojë drejt Shkupit për viza. Menaxhmenti kishte anuluar terminin e katërt me radhë të caktuar në Ambasadën e Bosnjë-Hercegovinës në Shkup për vizat e ekipit prej mbi 30 vetash, që planifikohet të udhëtojë drejt Sarajevës muajin që vjen.
“Ai do të shkojë për viza. Dhe pastaj do të shohim mundësitë sesi t’i kthejmë paratë e marra borxh”, ka thënë Mustafa.
Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt e regji të András Urbán u rrezikua të mos prezantohej atje për shkak të bllokadës financiare.