Një këshill i formuar nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT), vitin e kaluar, kishte bërë rishikimin e mbi 80 teksteve mësimore.
Ky rishikim ishte bërë pas kritikave dhe vërejtjeve se shumë prej teksteve kishin përmbajtje jo të duhur në disa raste edhe fyese dhe gabime profesionale në definicione të ndryshme.
Por mënyrën se si është bërë rishikimi e kanë kritikuar njohës të çështjeve të arsimit, pasi, sipas tyre, fokusimi më i madh ka qenë në përmirësimin e gabimeve teknike sesa në përmirësimin e përmbajtjes.
Eksperti i arsimit, Halim Hyseni, konsideron se vendimi për rishikimin e teksteve ka qenë i gabuar dhe nuk është dashur fare të ndodhë. Ai ka numëruar të metat dhe vërejtjet që përmbajnë këto tekste mësimore të dedikuara për nxënësit e arsimit parauniversitar.
E njohësi tjetër i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka thënë se përkundër iniciativës së ndërmarrë për rishikimin, nuk beson që diçka e tillë do të jetë e mjaftueshme për të eliminuar të metat e shumta të teksteve shkollore, dhe madje jo vetëm teknike. Sipas tij, rishikimi substancial i teksteve shkollore është i pashmangshëm. (Koha Ditore)