Me blloqet e vjetra të dy termocentraleve dhe të pasigurta në operim, vendi nuk arriti deri në fundin e 2018-ës t’i jepte fund serialit të termocentralit të ri, i cili nga fillimi është përballur me kundërshti, skepticizëm e pasiguri për atë se sa do të jetë ai miqësor ndaj ambientit dhe shëndetit.
Nga 2006-ta, kur nisi për herë të parë të përmendej ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike e deri tash, Termocentrali i ri ende nuk ka nisur të ndërtohet, raporton KTV.
Pas 12 vjet planifikimesh e shumë ndryshime të planit, fuqia prodhuese ra në vetëm 450 megavat.
Por, ky nuk ishte problemi i vetëm.
Për shkak të shumë ndërtimeve pa leje, Kosova u rrezikua seriozisht nga një krizë e madhe energjetike.
Shkaku i vonesave të shumta, çmimi për shpronësimin e disa hektarëve tejkaloi 20 milionëshin.
Mungesa e energjisë riktheu në pikën kryesore të pengesës për të bërë biznes.
Një hulumtim i bërë nga USAID-i amerikan konstatoi se brenda një viti, kostoja e shpenzimeve në mungesë të energjisë arrinte në qindra miliona euro.
Pas më shumë se 10 vjetësh, u riaktualizua mospagesa e energjisë dhe e ujit nga serbët në veri.
Me gjithë pakënaqësitë dhe reagimet, institucionet ende nuk kanë gjetur një zgjidhje se si t’i inkasojnë mjetet në veri.
Situatë aspak e mirë nuk kishte as sektori minerar.
Me vite të tëra e pasiguri të madhe u përcoll funksionalizimi i Trepçës.
E përcjellë me dozë të madhe politike, ky gjigant u shndërrua në ndërmarrje publike me ligj, por asnjë lëvizje tutje ndaj saj nuk u bë.
Për më keq, shumë kompani pretenduese se e njëjta u ka borxhe atyre, janë në pritje të nisjes së një lufte të re ndaj ndërmarrjes në fjalë.
Ndërkohë, minierat tjera vazhduan të mbeten në gjendje jashtëzakonisht të vështirë.
Kosova, më 2009, u bë anëtare me të drejta të plota në dy institucione të rëndësishme ndërkombëtare, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.
Por, Kosova nuk u qëndroi besnike garancive të dhëna ndaj këtyre institucioneve.
Rritja e pagave shkaktoi edhe prishje të raporteve me institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e financave.
Përgjatë viteve, Kosova humbi miliona euro nga arbitrazhi.
Fillimisht me rastin e pasaportave, e pastaj me kontratën e dyshimtë e shumë të dëmshme mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë ZMobile.
Një rast tjetër që është ende në pritje të vendimit të gjykatave është ai me kompaninë Axos.
Pas disa vjet diskutimesh, Kosova arriti të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Me gjithë mundësitë e mira që i ofron kjo marrëveshje për prodhuesit e vendit, ajo vazhdon të mos mund të shfrytëzohet, pasi në mungesë liberalizimi të vizave, shumë biznese humbën kontrata e punë të rëndësishme në shtete të ndryshme evropiane.
Gjendja e të drejtave të punëtorëve, sidomos në sektorin privat, nuk ndryshoi shumë.
Për çdo vit, kishte vdekje e lëndime në vendet e punës, por pak masa u morën që të rritet niveli i sigurisë së tyre.
Ndërsa, papunësia dhe kontrabanda vazhdoi të mbetej e lartë.
Me të dhëna zyrtare, numri i të papunëve është 30%, ndërsa niveli i ekonomisë informale tejkalon 34%.
Për çdo vit, investimet e jashtme mbeten sfide e patejkalueshme për vendin.
Për çdo vit, vlera e tyre ra, ndërsa pjesa e atyre që u investuan nga diaspora shkuan në blerje të patundshmërive, por kontributi i tyre në ekonomi mbeti shumë i madh pasi përgjatë këtyre 10 vjetëve sollën mbi 600 milionë euro brenda një viti.
Vetëm për pak vjet, përmes vizave të punës, ikën mbi 30 mijë persona, shumë të tjerë shfrytëzuan mënyra tjera për të shkuar në shtetet evropiane, kryesisht në Gjermani.