Dy burra dhe një grua i kanë hyrë garës për ta marrë përsipër qeverisjen e një komune të vogël në fundin lindor të Kosovës, e cila sado që është pavarësuar nga Kaçaniku në kuptimin administrativ, ende mbetet e varur nga ajo në ofrimin e disa shërbimeve qenësore në shëndetësi e arsim.
Hani i Elezit, një komunë me gati 10 mijë banorë, po përballet ende me probleme prej më të ndryshmeve.
Komuna e themeluar para një dekade, ka një varg problemesh që presin zgjidhje ndërsa furnizimi i qytetarëve me ujë të pijshëm kryeson listën e kërkesave të tyre.
Në listë pas problemeve me ujë, banorët e Hanit të Elezit i kanë deponitë ilegale të mbeturinave dhe kundërmimin e kanalizimeve.
Lumi Sitnica nuk ka ndryshuar prej mesit të mandatit kur ekipi i KALLXO.com ka bërë hulumtimin për gjendjen e premtimeve të dhëna nga kryetari i komunës, Rufki Suma. Lumi vazhdon të ndotet nga hedhja e mbeturinave dhe mos pastrimi i tij.
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare nuk ka drejtor dhe funksionon nën menaxhimin e kryeinfermieres.
Në Han të Elezit nuk ka gjinekolog e stomatolog, e për t’i kryer këto shërbime, banorët e kësaj komune duhet të udhëtojnë për Kaçanik e Ferizaj.
Stacioni i autobusëve në këtë vend ka mbetur veç ëndërr, e pas shumë kërkesave për një çerdhe, kryetari ka vendosur ta gjejë një lokacion për ta nisur çerdhen në fund të mandatit, pak ditë para zgjedhjeve të 22 tetorit.
Për t’i zgjidhur të gjitha këto probleme, Komuna e Hanit të Elezit ka 740 mijë euro për investime kapitale, ndërsa pjesa tjetër e buxhetit shkon për paga dhe mëditje.
Për kryetar të komunës, në zgjedhjet e 22 tetorit ka kandiduar edhe një kandidat nga PDK-ja i cili në vitin 2014 ka mbajtur burg 6 muaj pasi është dënuar për vjedhje të votave.
Uji i pastër, dëshira e çdo banori në Han të Elezit
Komuna e Hanit të Elezit, problemin e ujit e ka që nga paslufta. Kur Hani i Elezit u bë komunë, qytetarët të vetmen dëshirë që kishin ishte rregullimi i problemit të ujit pasi që uji nuk ishte i përdorshëm për asgjë.
Banorët e Hanit të Elezit edhe përkundër investimeve, vazhdojnë të kenë probleme me rrjetin e ujësjellësit dhe furnizimin me ujë. Vetëm qyteti i Hanit të Elezit (qytet) Lagjja e Re, një pjesë e fshatit Seqishtë dhe një pjesë e fshatit Gorancë janë të kyçura në sistemin e ujësjellësit.
Qyteti e ka fabrikën e ujit, në fshatin Dimicë, e cila ishte ndërtuar me ndihmën e donatorëve. Njëri ndër kushtet e marrëveshjes se investimit ka qenë zotimi i KRMU ’Bifurkacion” nga Ferizaj se do ta marrë nën menaxhimin sistemin e ujësjellësit.
Dhe kjo nuk ka ndodhur as sot e kësaj dite.
Sipas KRMU ‘Bifurkacioni’, fajin për menaxhimin e ujit në Han të Elezit, e ka niveli qendor.
Fabrika në fshatin Dimicë është ndërtuar si bashkë investim ndërmjet CDI-Zvicerane, komunës së Hanit të Elezit dhe partnere ka qenë edhe fabrika e Cimentos Sharrcem. Projekti ka kushtuar afër 450.000.oo euro dhe kjo fabrikë është përuruar në vitin 2010. Afër 230.000 kanë qenë donacion i CDI-së, 120.000 nga Komuna dhe 100.000 nga Sharrcemi
Mbeturinat “afatgjata”
Fshati Dimcë është ende njëri nga fshatrat ku deponitë e mbeturinave thuajse kanë zënë rrënjë pasi që siç po duket edhe në foton më poshtë nuk ka lëvizur ndonjë mbeturinë nga gjysmë mandati kur kemi pasur debatin me kryetarin Suma. Edhe lumi Lepenc ende është duke pasur probleme me deponi të mbeturinave. Ujërat e zeza në Han të Elezit përfundojnë në lumenj.
hani-i-elezit-deponia-e-mbeturinave-ne-lumin-sitnica-e1507887695354
Komuna e Hanit të Elezit ka themeluar kompaninë lokale për mbeturina dhe në bazë të planit të menaxhimit të tyre për vitet 2016-2021 sipas kryetarit të deritanishëm Rufki Suma “janë të obliguar që të eliminohen të gjitha deponitë ilegale të mbeturinave duke përfshirë mbulueshmërinë e të gjithë territorit për grumbullimin e mbeturinave nga NPL”.
Banorët e Hanit të Elezit vazhdojnë të kenë probleme nga këto mbeturina pasi që po kalojnë nëpër lumenj, dhe prej tyre po shkaktohet edhe kundërmimi i keq.
Stacioni Autobusëve, Ëndërr për Banorët
Planin rregullues Hani e Elezit e ka vetëm në dy zona, Zona Qendra dhe Parku ndërsa ka mungesa të planeve rregulluese të të gjithë fshatrave. Në mbarë komunën llogariten 1 mijë e 100 ndërtime pa leje. Hulumtimi I GAP tregon se komuna ka probleme me parkingjet nën shumë zona, ndërsa komuna nuk ka të ndarë hapësirë për stacionin e autobusëve.
Në arsim, Hani i Elezit nuk ka çerdhe për fëmijë e po ashtu të rinjtë mund të ndjekin mësimet vetëm në një drejtim atë të gjimnazit të përgjithshëm. Komuna nuk ka shkollë profesionale dhe nxënësit të cilët dëshirojnë të ndjekin shkollë të mesme profesionale duhet të udhëtojnë për në Kaçanik. Hulumtimi ynë tregon se shkollat në Han të Elezit nuk kanë laboratorë e po ashtu mungojnë hapësirat për aktivitetet sportive.
Çerdhja sipas banorëve ka ardhur pas kërkesave të shumta, pasi që tash e sa vite sipas kryetarit nuk ka pasur lokacion për t’u ndërtuar kjo çerdhe.
Pak ditë para se ta përfundojë mandatin e tij, Rufki Suma kishte gjetur lokacionin për çerdhen dhe tani është vetëm duke u ndërtuar.
KALLXO.com pati raportuar edhe në mes mandat se Komuna e Hanit të Elezit, ende nuk ka çerdhe.
QKMF, tash e tri Vjet pa drejtor
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjarë, në Han të Elezit funksionon por pa drejtor ndërsa Hani i Elezit nuk ka as kardiolog, as gjinekolog e madje as stomatolog.
QKMF-ja në Han të Elezit, është nën menaxhimin e Besjana Bushi-Thaçit, mbesës së kryetarit në detyrë Rufki Suma.
Për banorët që kanë nevoja të kardiologut, gjinekologut e madje edhe stomatologut banorët që kanë nevojë për këta dy doktorë duhet të udhëtojnë për Ferizaj.
Pak buxhet e shumë borxhe
Komuna e Hani të Elezit ka shumë pak të hyra, ndërsa Auditori Gjeneral ka gjetur se komuna u ka falur 6 mijë e 500 euro borxhe bizneseve të cilat kanë hapësira me qera nga komuna.
Kjo falje sipas auditorit është në kundërshtim me ligjin për shkak se ligji për faljen e borxheve nuk parasheh që komunat t’i falin borxhet e qirasë.
Po ashtu auditori ka gjetur se komuna nuk i ka ndëshkuar bizneset që i kanë komunës deri në 78 mijë euro borxhe.
Sipas Auditorit, Drejtori i Urbanizmit ka marrë një veprim të pavarur lidhur me borxhet e qiramarrësve. Auditori ka gjetur se janë falur borxhet e qirasë për 14 qiramarrës të pronës komunale në vlerë totale 6,615€, duke u bazuar në ligjin për faljen e borxheve. Sipas auditorit Ky ligj nuk e parasheh faljen e borxheve për qiratë. Falja e borxheve të qirasë pa bazë të ligjore, është në kundërshtim me ligjin dhe shkakton humbje financiare për komunën.