Qeveria e Kosovës ka diskutuar sot për gjendjen në Telekomin e Kosovës.
Besa Shatri-Berisha, nga bordi i Telekomit të Kosovës, bëri të ditur se kjo ndërmarrje publike gjendet në krizë financiare me borxhe mbi 60 milionë euro, raporton Ekonomia Online.
“Telekomi gjendet në një krizë financiare, borxhet mbi 60 milionë euro, prej tyre 11 milionë prej furnitorëve të rregullt, 14 milionë humbje, pasuria 34 milionë euro. Nga koha e diskutimeve për privatizim, investimet janë ndalë plotësisht, numri i madh i punëtorëve, shpenzimet për postën, dhe mirëmbajtja”, tha Shatri-Berisha.
Besa Shatri-Berisha tha se Telekomi rrezikohet edhe nga paditë në gjykata.
“Infrastruktura për përgjime që kushton 3 milionë euro, 26 milionë euro mbyllja e borxheve me Z mobile. Nëse nuk veprohet shpejt, posta është afër falimentimit dhe rrezikohet edhe nga paditë në gjykata”.
“Për të dalë nga kjo gjendje jemi të fokusuar në ofrimin e produkteve në treg që ndihmojnë në rimëkëmbjen e korporatës. Nëse nuk veprohet shpejt, Telekomi mund të veprojë edhe 12 muaj, dhe them se nëse nuk veprohet telekomi do jetë i borxhlinjëve dhe jo juve si aksionarë”.
Kryeministri Haradinaj tha se qeveria nuk mund të lajë borxhe të postës, raporton EO.
“ Nuk ka logjikë që qeveria të lajë borxhe të postës, ka qenë më heret kjo logjikë, nuk do të ketë qeveri që të mbulojë gropat e një kompanie, duhet të ketë partner investiv. Të orientoheni kanë mundësitë e partnerit investiv”.