Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit ka marrë vendim që Telekomi i Kosovës t’i paguajë 26.1 milionë euro gjobë (30 milionë duke përfshirë interesin), kompanisë Devolli e cila është pronare e Z-Mobile. Po ashtu, obligohet që t’ia jap 100 mijë numra shtesë, si dhe shërbimet 3G dhe 4G.
Drejtori i Telekomit, Agron Mustafa, është shprehur i befasuar nga ky vendim dhe e ka konsideruar si shqetësues për të dhe punëtorët e kompanisë.
Ai ka thënë se ky vendim e çon Telekomin drejt falimentimit.
Reagimi i plotë i Agron Mustafës:
Telekomi i Kosovës, (unë si drejtor Menaxhues i Telekomit të Kosovës), Bordi i Drejtorëve, Menaxhmenti dhe të gjitha punëtorët e Telekomit të Kosovës, me shqetësim të thellë morëm lajmin – vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, me seli në Londër dhe mbajtur në Vjenë të Austrisë.
Vendimi i Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, ka marrë vendim negativ për Telekomin e Kosovës, në të cilin vendim thuhet se Telekomi i Kosovës është i obliguar të paguajë 26.1 milionë euro gjobë, duke përjashtuar interesin e kalkuluar si dhe dhënien e bllokut të numeracionit prej 100 mijë numrave shtesë, sipas kërkesës së Z-mobile dhe vendimit të ARKEP. Gjithashtu vendimi i Tribunalit thekson se Z-Mobile duhet t’i jepen edhe shërbimet e 3G dhe 4G.
Ky vendim befasues dhe shqetësues për gjithë atë që quhet Telekom i Kosovës, është një prej vendimeve më të rrezikshme që është marrë nga ndonjë gjykatë në dëm të Telekomit të Kosovës dhe rrezikon seriozisht të ardhmen e korporatës,- deri në falimentim.
Publiku dhe klientët e Telekomit të Kosovës- Vala, duhet të jenë në dijeni se ky vendim i Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, erdhi pasi kompania Z-mobile, ka ushtruar padi pranë këtij institucioni, me pretendimet se është shkelur kontrata dhe nuk i janë ofruar shërbimet e kërkuara sipas kësaj kontrate.
Janë 4 pika, apo çështje, mbi të cilat u ushtrua padi dhe ne konsiderojmë se publiku dhe klientët e Telekomit të Kosovës duhet t’i dinë.
Fillimisht të sqarojmë se kontrata mes Telekomit të Kosovës dhe Daradanet apo Z-Mobile, është nënshkruar në janar të vitit 2009, në mes të përfaqësuesve të kompanisë dhe drejtorit të atëhershëm të PTK-së, Shyqyri Haxha.
Kjo kontratë, e cila themeloi operatorin virtual Z-Mobile, parashihte që këtij operatorit ti jepeshin 200 mijë numra ndërsa raporti i të hyrave mes dy kompanive do të ndahej 73 për qind për Z-mobile dhe 27 për qind për Telekomin e Kosovës.
Z-Mobile arriti brenda një kohe t’i shesë 200 mijë numra dhe bëri kërkesë për një bllok prej 100 mijë numra të rinj. Kjo kërkesë u refuzua nga drejtori i atëhershëm, Ejup Qerimi dhe Bordi i Drejtorëve. Kjo arsye dhe disa të tjera të cilat po i përmbledhim në formë të shkurtër, ishin pikat ku u mbështet padia e Z-Mobile.
1. Vonesat në liferimin e SIM kartelave nga ana e PTK-së për Zmobile,
2. Mos alokimi i bllokut numerik shtesë prej 100 mijë numrave që fillon me 045 7XX XXX,
3. Mos dhënia e shërbimeve 3G dhe 4G, si dhe
4. Degradimi i shërbimeve.
Problemet me pikën e parë të mësipërme që ka të bëjë me vonesat në liferimin e SIM kartelave nga ana e PTK-së drejt Zmobile, datojnë që në vitin 2010 dhe vjen si rezultat i dyshimeve te aktiviteteve jo ligjore, apo siç quhej “SIM to SIM”. Ky aktivitet, i humbiste miliona euro PTK-së së atëhershme.
Tutje, në vitin 2012, Zmobile i drejtohet PTK-së me kërkesën për lëshimin e numrave shtesë, me arsyetimin se 90% e 200 mijë numrave të parë vetëm se janë utilizuar dhe se kanë nevojë për të tjerë. Kjo kërkesë është refuzuar nga drejtori i atëhershëm i PTK-së, Ejup Qerimi. ARKEP, pati marrë një vendim ku kërkonte nga PTK që blloku numerik 045 7XX XXX ti rezervohet Zmobile, vendim i cili ishte atakuar nga PTK në gjykatën vendore, si vendim i padrejtë.
Gjithashtu, në vitin 2014 Zmobile i drejtohet PTK-së me kërkesën për dhënien e shërbimeve të 3G dhe 4G. Përkundër disa takimeve të mbajtura në mes palësh, nuk arrihet në ndonjë marrëveshje të pranuar për palët dhe ish-drejtori Ejup Qerimi së bashku me Bordin e Drejtorëve, refuzon dhënien e këtyre shërbimeve.
Në maj 2015, Telekomi i Kosovës njoftohet nga Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit mbi padinë e dorëzuar nga Dardafon.net në këtë arbitrazh me datën 14.04.2015, sipas pretendimeve të tyre në pikat e cekura më lartë.
Ne si Telekom i Kosovës, edhe pse kemi marrë vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, pas njoftimit të Aksionarit, jemi duke u konsultuar me çdo instancë juridike dhe institucionale, për të parë mundësinë e ankimimit dhe refuzimit të këtij vendimi.
Po ashtu, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, që të japë të gjithë asistencën e mundshme në këtë drejtim, pasi ky vendim rrezikon Telekomin e Kosovës, në të cilin punojnë mbi 2 300 punëtorë në mënyrë direkte, ndërsa 20 mijë familje jetojnë nga të hyrat që krijojnë prej aktiviteteve të kompanisë.