Ish-kryeshefi i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka folur për situatën e krijuar në këtë kompani.
Ai ka thënë se Telekomi mund të shpëtojë nga falimentimi dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim.
Haxha ka theksuar se Telekomi nuk duhet të privatizohet pas gjithë këtij degradimi që i është bërë.
“Kjo kompani duhet të ristrukturohet, të kthjellet, t’i ngrihet vlera, pastaj të shqyrtohen mundësitë e privatizimit”, ka thënë ai.
Haxha ka treguar se ka marrë shumë mesazhe që ai të rikthehet në krye të Telekomit.
Thotë se hëpërhë nuk ka përgjigje të prerë nëse do të jetë kandidat për kryeshef të Telekomit.
“Në rast se i hyj garës nuk do të pranoj të bëhem vegël e askujt”, ka thënë Haxha, duke shtuar se dikujt është duke i penguar zhvillimi dhe rritja e PTK-së.