Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” ka organizuar tryezën me temën “Shërbimet universale dhe liberalizimi i tyre në një treg konkurrues postar” për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e ofrimit sa më cilësor dhe të shpejtë të shërbimeve të sigurta postare në vend.
Diskutimet e folësve u orientuan në realitetet aktuale duke u përpjekur në gjenerimin e ideve për platforma të reja drejt përmirësimit dhe rritjes të performancës të shërbimeve postare si një proces që do të ndihmojë në integrimin e mëtutjeshëm të Postave të Kosovës në rrjetin regjional dhe ndërkombëtar.
Muhamed Krasniqi, drejtor i Kolegjit “ Tempulli”, tha se diskutimi i parë i këtij formati në vend pa dyshim se është një rast i mirë për të bashkëbiseduar lidhur me gjendjen dhe sfidat e shërbimeve postare në vend e më gjerë, sepse sipas tij, vetëm në qoftë se kombinohen përpjekjet e të gjithë aktorëve mund të arrijnë ambicien për funksionimin e një tregu të hapur dhe konkurrues në interes të gjithë konsumatorëve, por edhe operatorëve ekonomikë postar.
“Operatorët ekonomikë postar në vend sigurisht që janë duke u ballafaquar me vështirësi të ndryshme në konsolidim dhe zhvillimin e tyre drejt ofrimit të shërbimeve sa më të mira postare, dhe për të tejkaluar këtë situatë ne duhet të ndjekim përvojat më të mira të shteteve të BE-së, të cilat veç i kanë kaluar këto sfida”, ka thënë Krasniqi.
Ai po ashtu, tha se Kolegji “Tempulli”, si institucion i arsimit të lartë, i cili organizon studime të larta nga kjo fushë, vlerëson se edukimi dhe trajnimi periodik i të punësuarve në kompanitë postare janë garantues i ofrimit të shërbimeve të sigurta, cilësore dhe të shpejta postare.
“Andaj institucionet përgjegjëse për inspektim dhe monitorim duhet të vihen në lëvizje në respektimin dhe zbatimin e kërkesave ligjore dhe të konventave ndërkombëtare lidhur me trafikun postar”, ka theksuar Krasniqi.
Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës Sejdi Hoxha, theksoi se të gjithë janë të barabartë para zbatimit të ligjit, duke shtuar se jo vetëm Posta e Kosovës të lëshojë pe nga zona e rezervuar, por edhe Qeveria edhe Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik t`i mbulojnë këto humbje që i shkaktojnë nga ofrimi i këtij shërbimi.
“Ne nuk mund ta kthejmë palën për 0.40 cent, duhet me ja dërguar letrën, dhe kjo po na shkakton një telashe jashtëzakonisht të madhe, i kemi mbi 300 postierë të punësuar që paga mesatare e tyre është mbi 500 euro, por që për ne parqet një sfidë, sepse ne krijojmë humbje nga ky shërbim për ta kryer”, ka thënë Hoxha.
Ilir Fetahu, nga Departamenti i Postë-Telekomunikacionit dhe Teknologjisë informative e Komunikuese në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, theksoi se Qeveria e Kosovës duhet ta përkrah më shumë operatorin publik, duke thënë se këto janë çështje që duhet të diskutohen.
“Kohët e fundit Posta e Kosovës ka filluar me shërbime të reja më kualitative dhe është një konkurrente e shërbimeve tjera të cilat deri vonë nuk janë kryer”, ka thënë Fetahu.
Kjo tryezë do të veprojë si një platformë diskutimi në mes zyrtarëve të qeverisë dhe palëve të interesuara publike dhe private, si dhe subjekteve tjera, për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e ofrimit sa më cilësor dhe të shpejtë të shërbimeve të sigurta postare në vend.