Trajneri i ri i Manchester Unitedit, Terik ten Hag ka nisur të marrë frymë më lirshëm.
“Djajtë e Kuq” e mposhtën mbrëmë Liverpoolin me rezultat 2:1 në derbin e Anglisë për ta shijuar fitoren e parë sezonale, shkruan “Gazeta Express”.
Trajneri holandez beson se ky është vetëm fillimi i rikthimit të ekipit të tij tek rezultatet e favorshme dhe pse jo, tek trofetë.
“E doja një qasje tjetër dhe një qëndrim ndryshe dhe këtë e kanë bërë djelmoshat në fushë. Është vetëm fillimi. Mund të luajmë shumë më të komponuar dhe shumë më të rrezikshëm. Mund të jemi një skuadër dhe ta kemi një shpirt të mirë, kjo është ajo që e kemi parë sot”, deklaroi ish-trajneri i Ajaxit në konferencë për shtyp pas lojës.
“Më bën të lumtur fakti që Rashford e Sancho shënuan gola. Fernandes e ka marrë përgjegjësinë e shiritit të kapitenit dhe kjo e ka inkurajuar. E ka demonstruar lidershipin bashkë me Varanen. Jam i kënaqur me paraqitjen, por duhet ta bëjmë këtë në çdo lojë, jo vetëm ndaj Liverpoolit. Kemi rinisur, edhe njëherë, me shpirt”, përfundoi trajneri i Man Utd. /Gazeta Express/