Tash e gati një vit banorët e Dragashit presin ujin në çezmat e tyre. Mosmarrëveshjet për tenderin gjysmë milionësh mes komunës dhe kompanive private i kanë lënë ata pa ujësjellësin e ri.
Gazeta Fjala ka siguruar dokumente që dëshmojnë se komuna e Dragashit ia besoj dy herë tenderin kompanive të cilat Gjykata e Tenderëve, siç njihet ndryshe Organi Shqyrtues i Prokurimit, i shpalli të pa përgjegjshme.
Fajin për tërë këtë zvarritje të këtij tenderi nuk e pranon askush.
Në komunën e Dragashit thonë se janë të obliguar t’i zbatojnë vendimet e OShP-së, por nuk tregojnë se pse kjo komunë tenderin në fjalë ia ka besuar çdo herë kompanive që nuk i plotësonin kushtet.
“Tenderi ‘ Ndërtimi i ujësjellësit në Dragash-Vazhdimi i punimeve ‘ është dhënë kompanisë së njëjtë pse ashtu ka vlerësuar komisioni vlerësues. OShP ka menduar se ka pasur shkelje sepse ka menduar se kompania në fjale edhe pse ka qenë më e lirë ka menduar se nuk ka pas referenca”, thuhet në përgjigjen e komunës së Dragashit.
Në këtë institucion komunal e pranojnë se me këtë me moskryerjen e punimeve janë dëmtuar qytetarët e këtij vendi. Mirëpo, ata nuk japin ndonjë shpjegim për procesin e mëtutjeshëm të këtij tenderi.
“Zvarritja e këtij tenderi normale që i ka dëmtuar qytetarët dhe komunën, por qe komuna është e obliguar të respektojë vendimet e organeve më të larta”.
Tenderi në Krime Ekonomike
Në bazë të dokumenteve që shihet se komuna e Dragashit vitin e kaluar fillimisht kishte përzgjedhur kompaninë “EBK & Gashi ing” nga Prizreni, të cilës në OShP ishte gjetur se ia kishte përshtatur tenderin.
Kjo u konstatua pas ankesës së kompanisë “Puna”, e cila ishte konkurrente në këtë garë.
Megjithatë, gabimet nuk u përmirësuan as në ri-vlerësimin e dytë, siç kishte urdhëruar Gjykata e Tenderëve.
Komisioni vlerësues i komunës së Dragashit, përsëri zgjedhë për t’i kryer punimet kompania e cila nuk i plotësonte kriteret sipas OShP-së . Kësaj radhe fitues del “Fanaj Inxhinjering”. Mirëpo pas ankesës së kompanisë “Puna”, konstatohen shkelje në tender dhe i tërë procesi kthehet në pikën zero.
Salajtin Fanaj pronar i kompanisë “Fanaj Inxhinjering”, që është shpallur edhe fituese për dy herë radhazi ka thënë se është duke u bërë e padrejtë, pasi tenderi po shkon në ri-vlerësim nga OShP, pas ankesave të kompanisë “Puna”. Ai madje ka bërë me dije se për këtë tender do të ankohet edhe në Policinë e Krimeve Ekonomike.
“Unë kam dyshime se kompania ankuese “Puna” dhe OShP kanë lidhje mes vete. Kjo lëndë po shkon në ri-vlerësim pasi ata kanë lidhje mese vete. Unë kam pasur të drejtë që jam shpallë fituese dhe kam pasur çmimin më të lirë”, ka thënë ai.
Fanaja ka bërë me dije se s’ka asnjë lidhje me komunën dhe askënd dhe se tenderin është duke e fituar me meritë.
“ Tash OShP ka lëshuar edhe një urdhëresë. Nuk di çka do të behët me tutje. Por, unë nuk do të ndalem, këtë lëndë do ta çojë edhe në Krime Ekonomike dhe do ta kërkojë të drejtën time”, ka thënë ai.
Kurse, përfaqësuesi i kompanisë “Puna” , Ylber Halili që është duke u ankuar në OShP për këtë tender ka thënë se nuk e ka të qartë ende pse tenderi po zvarritet dhe po shkon në ri-vlerësim.
“Muj me supozuar që ka ndonjë lidhje mes komunës dhe kompanisë fituese, por nuk kam ndonjë argument për këtë çështje. Mirëpo, nuk është aspak e kuptueshme që ky tenderi të shkojë dy herë në ri-vlerësim dhe përesi të marr kompani e njëjtë. Po ashtu tashmë OShP ka dhënë edhe një urdhër ndaj komunës për ketë çështje”, ka thënë përfaqësuesi i kompanisë “Puna”, Ylber Halili.
Ai ka treguar se nuk ka edhe ndonjë arsye se pse është duke u eliminuar nga gara, ndonëse te gjitha kriteret i ka të plotësuara.
“ Nuk kemi ndonjë arsye për eliminim. Thjeshtë në largohemi nga gara dhe fituese shpallët kompania në fjalë”, ka treguar ai.
Urdhri i OShP-së
Tenderi ‘Ndërtimi i ujësjellësit në Dragash-Vazhdimi i punimeve’, është hapur nga komuna e Dragashit tash e afro një vit.
Në këtë tenderi që është kthyer dy herë në ri-vlerësim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit kanë konkurruar çdo herë nga 6 apo 7 kompani. Fituese në të dy herët ishin shpallur kompanitë që sipas OShP nuk i plotësonin kushtet.
Derisa, të njëjtat kompani, që kanë konkurruar për këtë tender dhe janë eliminuar nga gara, kanë paraqitur ankesë në OShP, e cila edhe u ka dhënë të drejtë.
“Gjykata e Tenderëve” pas gjithë këtij procesi tashme ka lëshuar edhe një urdhëresë për komunën e Dragashit, me anë të së cilës ka kërkuar që ky tender të përfundojë sa më shpejtë, dhe t’i zbatojë vendimet e OShP-së që janë dhënë më herët.
“Mos zbatimi i vendim-urdhërimit të OShP-së, do të detyrojë panelin që konform nenit 131 të LPP-së dhe nenit 25 të paragrafi 8 dhe 9 të LPP-së, të shqiptojë sanksionet e parapara në këtë dispozitë të LPP-së për zbatim të urdhrit të OShP-së”, thuhet në urdhëresën që ka lëshuar OShP ndaj Komunës së Dragashit. (Gazeta Fjala)