Këtë fundjavë tenori i ri nga Kosova, Granit Musliu, do të kalojë edhe një sfidë tjetër artistike. Ai do të jetë solist në “Meshën në C mol” të kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart në koncertin që do të mbahet të dielën në kishën “St. Philippus Kirchengemeinde” në Hannover të Gjermanisë.
Musliu, i cili ka ditë që ka filluar përgatitjet për këtë koncert, ka thënë se kjo performancë ka ardhur si rezultat i rekomandimeve që janë bërë nga profesorët. Musliu në nëntor të këtij viti kishte filluar një hap tjetër të rëndësishme në karrierën e tij si tenor. Ai është bërë pjesë e studentëve të Universitetit Shtetëror të Muzikës në Hamburg. Aftësitë e tij në këndim kanë shtyrë profesorët që ta vënë Musliun në kontakt me dirigjentin Jan Behnken, i cili e ka ftuar që të këndojë si solist në koncertin e 8 dhjetorit.
Në koncertin e titulluar “Musik die gut tut”, Musliu do të këndojë përkrah dy sopranove gjermane, Cornelia Samuelis dhe Mine Yücel si dhe Mathis Koch (bas). Mbrëmja do të dirigjohet nga Jan Behnken dhe solistët do të shoqërohen nga “Orchester Opus 7”. Në këtë koncert përveç “Meshës në C mol” të kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart, në të cilën do të paraqitet Musliu si solist, do të interpretohet edhe “Koncerti për klarinetë” i po të njëjtit kompozitor. Këtë paraqitje si solist, tenori i ri ka konsideruar shumë të rëndësishme.