Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu përmes një postimi në Facebook, ka sqaruar “tensionin” e sotëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmanit, gjatë diskutimit të tyre në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut.
Kryeziu ka shkruar se kryeministri Kurti ishte duke folur me presidenten Osmani për Avokatin e Popullit, Naim Qelaj dhe deklaratës së këtij të fundit për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të Ligjit të ri për Zgjedhje.
Ekonomia Online sot ka publikuar disa pamje nga ky moment i diskutimit mes Kurtit e Osmanit, ku thuhej se kryeministri dhe presidentja janë parë në tension më shumë se zakonisht.
Postimi i plotë i Kryeziut:
Në fjalën e tij sot në mëngjes, në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, Kryeministri Albin Kurti, përveç tjerash, tha se 10 ligje të Kuvendit që përbëjnë reforma tejet të rëndësishme në përputhje me ndryshimin e madh demokratik zgjedhor të shkurtit 2021 me slloganin “Drejtësi dhe Punësim”, janë të ngujuara, të rrëzuara ose të deformuara te Gjykata Kushtetuese.
Kur pas Kryeministrit e mori fjalën Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ai filloi të përsiatej qysh po mendon ta dërgojë edhe një ligj tjetër në Gjykatën Kushtetuese, kësaj radhe Ligjin e ri për Zgjedhje, që u votua në lexim të dytë në Kuvend sivjet më 8 qershor, u shpall në gazetën zyrtare më 3 korrik dhe hyri në fuqi më 18 korrik 2023.
Në atë xhirim shihet Kryeministri Kurti duke i folur Presidentes Osmani për Avokatin e Popullit Qelaj dhe këtë çështje të fjalës së tij.