Në Kuvendin e Kosovës ku është diskutuar Programi i Qeverisë, Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është përplasur verbalisht me deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri, duke i thënë se “është marre mos me ditë me shënua emrin tënd”, duke iu referuar gabimeve drejtshkrimore që deputetët kanë bërë në plotësimin e Formularit për Broshurën Parlamentare, raporton Ekonomia Online.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka falënderuar të gjithë deputetët të cilët programin qeverisës e kanë cilësuar si program dëshirash. Ai ka thënë se në brendësi ky cilësim thotë se programi vlerësohet jashtëzakonisht i mirë.
“Kur e kemi dizajnuar programin nuk ka qenë objektiv me sjellë program që e pëlqen opozita por kemi sjellë program me te cilin kemi fituar në zgjedhje, qytetarët kanë votuar për këtë program. Ne nuk kemi bërë raport të punës 4-vjeçar por synim për katër vjetët e ardhshme pas katër vjetëve mund të kritikoni”, ka thënë ai.
Deputeti Abelard Tahiri ka thënë se do të ishte normale nga Bislimi të dilte me një përmbyllje dhe jo të tallej me deputetët.
“Është e padijshme me dal mu tall me deputetë t’i do të duhej me dal me tregun për projektet, mos e bini veten në këtë pozitë shumë e dobët ka qenë ekspozeja, jo me bërë hajgare me neve dil në foltoren përmendi programet ekonomike dhe arsyetoji ato, mos u tall me shtesat e fëmijëve, mos u tall me çerdhe”.
Besnik Bislimi, iu është drejtuar Tahirit se nuk është marre me prezantua program por marre është mos me dit me shënua emrin tënd.
“Ju po i prezantoni shqetësimet tuaja si shqetësime të qytetarëve a vetë qytetarët e kanë votuar këtë projekt. Nuk është marre me prezantu program, nuk është marre kjo, marre është me qenë ministër e shef i grupit parlamentar e mos me dit me shkru emrin tënd”.
Po ashtu ka reaguar, edhe deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, duke thënë se po i qaset debatit në mënyrë ofenduese.
“Po i qasesh debatit me neve në mënyrë ofenduese. Ne jemi zgjedh dhe ti nuk ke qenë as në listë. Nëse nuk ke mundësi me dhënë shpjegim mos jep ofendim, nuk ta kemi borxh une jam i binudr që mundeni me përmirësua”.