Babai 60-vjeçar nga fshati Karaqevë e Komunës së Kamenicës ka mbytur djalin e tij 14-vjeçar pas rrahjes me shkop të drurit që i ka bërë mbrëmjen e së mërkurës. Insajderi merr vesh se babai kishte mbytur djalin e tij për shkak të dyshimeve se djali i tij i kishte shpenzuar 1 mijë euro, raporton Insajderi.
Në gjithë këtë ngjarje nuk ka qenë i rrahur vetëm djali L.B që tashmë është i vdekur. Insajderi ka marrë vesh se babai kishte ushtruar dhunë edhe ndaj vajzës së tij, arsyeja për të cilën nuk dihen ende.
Gjithë këtë ngjarje babai lypsar nga Kamenica me iniciale G.B ishte munduar ta sajonte, në mënyrë që për vdekjen e të birit të mos e merrte përgjegjësinë. Fillimisht babai kishte rrahur rëndë djalin e tij rreth orës 19, dhe që nuk e kishte dërguar për ndihmë mjekësore.
Ai kishte vendosur ta dërgonte në Qendrën e Mjekësisë Familjare vetëm pas orës 12:00, atëherë kur edhe djali i tij kishte vdekur. Babai para policisë ishte arsyetuar se vdekja e djalit të tij kishte ndodhur për shkak të një aksidenti me një motor. Por që policia nuk kishte rënë në grackën e tij.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës fëmija 14-vjeçar në QKMF të Kamenicës kishte arritur pa shenja jete.
“Pasi që iu kishte keqësuar gjendja shëndetësore i dyshuari kishte vendosur ta dërgoje tek mjeku me ndihmën e familjareve të tij, mirëpo kur është dërguar në QKMF-Kamenicë rreth orës 00:40, ka qenë tepër vonë dhe mjeku kujdestar veç ka mundur me konstatuar se fëmija është pa shenja jete”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës sqarohet se babai kishte rrahur djalin e tij me mjetë të fortë që besohet të ketë qenë shkop i drurit.
“Pas hetimeve te para në vendin e ngjarjes nga njësitet e hetimeve rajonale të Policisë së Kosovës dhe Prokurorit të shtetit dyshohet se si pasoj e dhunës fizike – rrahjes të ushtruar nga i dyshuari – prindi i viktimës G. B. Shqiptar shtetas i Kosovës, lindur me 1958, si pasoj e goditjeve me mjete të forta besohet shkop druri, fëmija ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në institutin Mjeko ligjorë në Prishtinë ndërsa ndaj të dyshuarit caktohet masa e ndalimit prej 48 orë, rasti është i klasifikuar si “Vrasje e rëndë”. Rasti është duke u hetuar nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe Policisë së Kosovës.