Marc-Andre ter Stegen beson se Lionel Messi është me të vërtetë i lumtur në “Camp Nou”, mirëpo thotë se ylli i Barcelonës e ka fituar të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen e karrierës së tij.
Lionel Messi, i cili ka luajtur vetëm për Barcelonës që kur debutoi në tetor të vitit 2004, e dha së fundi një intervistë për mediumin spanjoll, Sport, këtë javë.
Argjentinasi, që nga shumë njerëz konsiderohet futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve, tha se ai synon të qëndrojë në Barcelonë për një kohë sa më të gjatë që të jetë e mundur, mirëpo e pranoi se ai duhet ta shohë “një skuadër fituese”.
Gjiganti katalonas nuk e ka fituar trofeun e Ligës së kampionëve që nga sezoni 2014/15, kur Neymari kishte qenë në Barcelonë, përkrah Luis Suarezit dhe Messit. Messi tha për Sport se ai dëshironte që braziliani të kthehej në Barcelonë.
Megjithatë, Ter Stegen bëri të ditur se nuk e sheh aspak si problem deklaratën e Messit, që sugjeronte se argjentinasi mund të largohet nga skuadra nëse e sheh se Barcelona nuk po performon në nivelin e dëshiruar.
“Messi e meriton ta zgjedhë të ardhmen e tij. Gjëja më e lehtë për ne ta bëjmë është t’i themi të qëndrojë sepse ai është një lojtar kyç për ne dhe niveli i tij është shumë i lartë”, u shpreh Ter Stegen.
“Unë jam i bindur se ai është shumë i lumtur në skuadër, në klub dhe në qytet. Është e vështirë për të të largohet. Personalisht, unë dua që ai të qëndrojë, por unë nuk e marr këtë vendim. Ne do t’i themi atij të qëndrojë dhe shpresojmë se ai do të bëjë këtë gjë”.
Messi tha se ai nuk e dinte nëse Barcelona kishte bërë gjithçka të mundur për ta kthyer Neymarin në klub nga Paris Saint-Germaini, mirëpo Ter Stegen dëshiron ta lërë në të kaluarën transferimin e dështuar.
“Është një pyetje që për momentin e kam të vështirë të përgjigjem. Neymari është një futbollist spektakolar, ai kaloi shumë vite me ne dhe e ndërmori një hap tjetër në karrierën e vet”, shtoi Ter Stegeni.
“Tani, asgjë s’ka ndryshuar. Klubi ka tentuar të bëjë gjithçka që kishte mundësi. Ne jemi të kënaqur që i kemi lojtarët më të mirë në skuadër. Jam i lumtur me skuadrën që e kemi”.