Portieri gjerman i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen pret një ndeshje mjaft të vështirë kundër Napolit të martën mbrëma në 1/8 e fnales të Ligës së Kampionëve.
Barcelona do të jetë mysafire e Napolit.
“Liga e Kampionëve është objektivi ynë kryesor çdo vit, të gjithë kemi dëshirë të shkojmë sa më larg, edhe pse është gjithmonë shumë vështirë. Na pret një ndeshje e vështirë, por jemi në dijeni se duhet të japim çdo gjë në fushë për të marrë rezultat të mirë në mënyrë që të përfundojmë gjërat në ndeshjen e kthimit në ‘Camp Nou’”, ka deklaruar Ter Stegen për “Mundo Deportivo”, transmeton Koha.net.
Ter Stegen po ashtu ka rrëfyer se lojtarët ende po adaptohen me stilin e lojës të Quique Setienit.
“Jam shumë i bindur me atë që po bëjmë. Ne kemi shumë lojtarë të mirë. Javët e fundit ne jemi adaptuar me trajnerin e ri”, ka shtuar Ter Stegen.
Mesfushori i Barcelonës, Frenkie de Jong po ashtu pret një ndeshje shumë të vështirë në Napoli.
“Napoli ka një skuadër të madhe me lojtarë kualitativ. Ndonëse në ligë nuk ka qenë në nivelin më të mirë, ka luajtur shumë mirë në Ligën e Kampionëve. Shikoni vetëm ndeshjet që ka luajtur kundër Liverpoolit”, ka thënë De Jong për faqen zyrtare të UEFA-s.