Kryetarja e Akademisë Suedeze, organit prestigjioz që akordon çmimin Nobel në Letërsi, është tërhequr pas një skandali të abuzimit seksual që ka përfshirë organizatën.
Sara Danius rrëfeu për gazetarët se ka qenë vullneti i Akademisë që ajo të largohej nga detyra e saj si Sekretare e Përhershme, për shkak të mënyrës se si organizata po trajton hetimin ndaj pretendimeve për sjellje jo të hijshme të bashkëshortit të një prej anëtareve të këtij institucioni. “Kjo çështje ka ndikuar ndjeshëm Çmimin Nobel dhe ky është një problem i madh,” u shpreh Danius ndërkohë që deklaroi se vendimi i saj do të ketë efekt të menjëhershëm.
Nëntorin e vitit të kaluar, 18 gra të frymëzuara nga fushata #MeToo ngritën akuza për ngacmim seksual ndaj Jean-Claude Arnault, bashkëshort i anëtares së Akademisë, Katarina Frostenson. Pasi Akademia votoi kundër largimit të zonjës Frostenson, tre nga anëtarët e saj u tërhoqën nga komiteti prej 18 vendesh në shenjë proteste. Edhe pse teknikisht ata nuk mund të dorëhiqen për shkak të rregullave për emërim të përjetshëm në Akademi, ata mund të mos marrin pjesë në aktivitetet e kësaj trupe.
Akademia Suedeze ndërpreu çdo lloj kontakti dhe financimi për zotin Arnault pas zbulimit të skandalit. Por ai ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.