Pas tërmetit të 21 shtatorit, Turqia e ka ndihmuar Shqipërinë me vlerë monetare prej 350 mijë euro.
Në prani të ambasadorit turk në Shqipëri, Murat Ahmet Yoruk, zëvendësministrit të Mbrojtjes, Petro Koçi, Drejtorit të Përgjithshëm të Emergjencave Civile, Haki Çako kanë arritur në Drejtorinë e Rezervave Materiale të shtetit kamionët me ndihma të ardhura nga Turqia.
“Ndihma e popullit turk që është më shumë se sa mik për ne, është shumë e çmuar. Sigurisht bashkë me Turqinë ne i përgjigjemi shumë sfidave globale të sigurisë dhe paqes. Bashkë kemi qenë në Afganistan, në shumë misione ndërkombëtare, jemi bashkë në Detin Egje për të penguar emigracionin e paligjshëm. Por ky moment bashkëpunimi në situatatë emergjence është edhe më zemërprekës”, ka deklaruar zëvendësministri i Mbrojtjes.
Ambasadori i Turqisë përcolli mesazhet solidarizuese të presidentit Erdogan për Shqipërinë duke e kujtuar edhe takimin me kryeministrin Edi Rama në New York, shkruan Top Channel.
“Si një shtet që e kemi përjetuar tërmetin dhe nga kjo fatkeqësi kemi pasur edhe humbje njerëzish arrijmë ta kuptojmë mirë gjendjen e vëllezërve tanë shqiptarë. Shpresojmë që kjo ndihma jonë të jetë e rëndësishme në këtë situatë. Ne gjithmonë kemi qëndruar pranë në ditë të vështira dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë”.
Me aktivizimin e mekanizmit të mbrojtjes civile nga Bashkimi Europian, në pak kohë, Shqipërisë i kanë ardhur ndihma të shumta nga vende të ndryshme europiane, ndërsa strukturat shtetërore janë angzhuar maksimalisht në rikonstruksionin e banesave të dëmtuara.