Nuk ka të ndalur gjetja e viktimave të reja nga tërmeti në Turqi. Pa diskutim që tërmetet aq të fuqishme shkaktojnë shumë dëme dhe me siguri se do të bëhen analiza lidhur me kualitetin e ndërtimeve në zonat e prekura.
Por nga fotot/videot po vërehet qartë se ndërtimet e dobëta janë faktori kryesor për këtë numër kaq të madh të viktimave. Një shembull i dallimeve në kualitet të ndërtimeve në Turqi është Qendra e Kulturës në qytetin Adiyaman e cila ka mbetur e padëmtuar nga Termeti, bile në disa rrjete sociale thuhet që as gotat nuk janë thy. Arsye kryesore është që kjo ndërtesë është financuar nga fondet e BE[së të cilët edhe e kanë mbikëqyrur ndërtimin e kësaj qendre. Për krahasim, një hotel ngjitur me këtë objekt është shembur përtokë.
Projektimi i saktë dhe mbikëqyrja e objekteve ndërtimore janë thelbësore për ti përballuar tërmeteve bile edhe atyre të fuqishëm. Në Kosovë mbikëqyrja e ndërtesave nuk është e definuar qartë. Sipas ligjit të ndërtimit, pjesëmarrësit në ndërtim janë aplikuesi, poseduesi i lejes ndërtimore, projektuesi, kontraktuesi por jo edhe institucionet e sidomos ato komunale. Kjo do të thotë që mbikëqyrja e objekteve mbetet në diskrecion të investitorit, nëse është i përgjegjshëm që të ndërton objektin sipas projektit. Në ligj thuhet që Inspeksioni përkatës ndërtimor ka të drejtë të bëjë inspektim të çdo objekti ndërtimor brenda kompetencave të tij. Kjo është e gabueshme, nuk duhet të thuhet KA TË DREJTË por OBLIGOHET.
Inspektorati komunal duhet ti kontrollon fazat kyqe të ndërtimeve, sidomos ndërtimeve të larta. Për me qenë më konkret, nuk guxon të derdhet betoni në fazat kyçe pa u kontrollu nëse është vendosur armatura sipas specifikimeve. Pikë! Po ashtu duhet të merren mostrat e betonit për tu verifikuar marka e tij. Sipas informatave nga terreni, kompanitë ndërtimore i dorëzojnë kërkesat formale në komuna përkatëse për inspektim të fazave, por inspektimi nga komunat ndodh rrallë, duke u arsyetuar me numër të vogël të inspektorëve.
Ligji i ndërtimit i cili është në fuqi mbi 10 vjet ka mangësi të mëdha dhe duhet të ndërrohet sa më shpejtë që është e mundur duke e specifikuar sa më shumë çështjen e inspektimit të ndërtimeve por jo vetëm. Në kohën kur kam qenë pjesë e kabinetit në MMPHI, e kemi pas pjesë të planit që këtë vit të fillohet me ndryshimin e ligjit por kjo duhet të ndodh pas funksionalizimit të Odave të Inxhinierëve të Ndërtimit dhe Arkitektëve, të cilat oda do të mund të kontribuonin që ligji të jetë sa më cilësor, duke e marr parasysh rëndësinë e madhe të këtij ligji.
Komunat e Kosovës duhet të jenë më ekspeditive në këtë drejtim dhe mos të presin që të ndërrohet ligji sepse nuk kanë asnjë pengesë që të bëjnë monitorim të cilësisë së ndërtimeve në terren e mos të kapen për fjale. Përndryshe, tash po flas si inxhinier, në shumë objekte ndërtimore që kam pas rastin ti shoh në faza ta ndërtimit, kualiteti është në nivel të kënaqshëm dhe nuk ka hapësirë për panikë. Sidoqoftë, për me hjek komplet këtë dyshim dhe me fitu besimin e banorëve, komunat duhet vet ti mbikëqyrin objektet në ndërtim. Një problem tjetër i madh për mua është afërsia e madhe e ndërtesave kolektive, po kjo është temë në vehte.
Disa çështje tjera në fushën e ndërtimit e që janë urgjente për trajtim janë edhe adoptimi i kodit të ndërtimit dhe përpilimi i anekseve nacionale si dhe themelimi i institutit për ndërtim.