Mos e akuzoni vetëm Florën, ajo kreu një detyrë dhe mision të cilin po e kryen PAN-i, një grup kriminal i veshur me politikë për 20 vjet në Kosovë. Kështu thotë Melihate Tërmkolli, duke theksuar se Brovina, veç ngriti PAN-kartën e kësaj politike.
Mos kërkoni dorëheqjen vetëm të Florës, shprehet Tërmkolli, përderisa kriminelët janë në pushtet.
Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka reaguar pas skandalit të fundit rreth fotografisë së publikuar nga deputetja e PDK-së Flora Brovina. Një fotografi të cilën edhe vet Brovina e konfirmoi se nuk e ka verifikuar dhe është e falsifikuar, raporton Koha.net.
Tërmkolli, përmes një reagimi thotë se në asnjë rast dhe askush nuk mund ta mohojë krimin e gjenocidin serb kundër shqiptarëve.
“E ka parë e përjetuar secili shqiptar i asaj kohe në një mënyrë a tjetër. E ka parë tërë bota. Prandaj ishte intervenimi i NATO-s. Serbia duhej të dënohej për këto krime e për gjenocid. Por “fara e keqe” që la Serbia pas vetes në Kosovë e pengoi këtë proces. Fillimisht thuhej se Serbia është dënuar me faktin se Kosova u ҁlirua dhe arriti qëllimin e saj ndërsa më vonë u gjet arsyeja në “normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë për të mos e acaruar atë, sepse po bëhej historia e re, dikush po arrinte paqe të qëndrueshme me Serbinë, po hynte në një dialog (pa krye), pa asnjë të vetmen kërkesë ndaj Serbisë, as pranimin e krimeve e gjenocidit, as të pagjeturit, as dëmet tjera, asgjë!”, thotë Tërmkolli.
Ish deputetja e LDK-së thotë se eksponentë të PDK-së publikisht i falën krimet e komunizmit, pak vite pas pavarësisë, derisa ishte hapë debat në Kuvendin e Kosovës, për t’i dënuar ato krime.
“Ka nga të PAN-it që edhe sot flasin për faljen e krimeve e gjenocidit serb, në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Pas njëzet vitesh, përnjëherë u ngritën “trimat”, protagonistët e sabotimit të deritashëm të kësaj kërkese për të bërë një rezolutë për krimet serbe në Kosovë. Pohimet e tyre të përsëritura se ka pasur krime e gjenocid serb në Kosovë, kur të gjithë e dinë qe njëzet vite këtë të vërtetë ( përveҁ Serbisë që e mohon), më shumë se kundërvënie Serbisë, tingëllojnë sikur duan ta bindin veҁ veten e tyre dhe ta përdorin si mjet legjitimimi për bëmat e veta se veprimet e tyre dallojnë nga ato të Serbisë ngase sado të rënda të jenë përsëri Serbia bëri dëme më të mëdha në Kosovë. Përndryshe, ҁfarë iu dasht Florës tërë ajo shfaqje makabre derisa për krimet e gjenocidin serb ndaj shqiptarëve ekzistojnë fakte më tepër se të mjaftueshme”, shkruan Tërmkolli.
Tërmkolli, thotë se Flora Brovina me maskaradën e paraqitur në Kuvendin e Kosovës është veҁ shpërfaqja më e hapur dhe më tragjike e sjelljes dhe veprimeve politike të një grupi kriminal të veshur me pushtet i koncentruar në pjesën më të madhe në PDK por edhe në partitë simotra.
“Veprimi i këtij grupi mund të përmblidhet në tri pika të pa shkëputura mes veti për nga pasojat që kanë. Është politikë e ndërtuar fund e krye mbi gënjeshtrën, mashtrimin e manipulimin, mbi dhunën e grabitjen, rrjedhimisht politikë kundër interesave të shtetit e popullit të Kosovës me qëllim marrjen dhe mbajtjen e pushtetit që për një votë e djeg dhe e vret Kosovën. Flora veҁ ngriti PAN-kartën e kësaj politike. Prandaj, mos e akuzoni vetëm Florën! Ajo kreu një detyrë dhe mision të cilin po e kryen ky grup kriminal i veshur me politikë për njëzet vite në Kosovë, dashur padashur në interes të Serbisë e kundër interesave të Kosovës. Mos kërkoni dorëheqjen vetëm të Florës, përderisa kriminelët janë në pushtet. Mos kërkoni dënimin vetëm të Florës, përderisa të mos dënohen të gjithë kriminelët në politikë që e vranë e po e vrasin këtë vend e këtë popull deri në zhbërje”, ka shkruar Tërmkolli.
Sido qoftë, thotë Tërmkolli, dhe sado vonë të jetë bërë, rezoluta për krimet e gjenocidin serb në Kosovë duhet të miratohet dhe jo vetëm një rezolutë, duhen edhe shumë veprime tjera.
“Nuk mund të bisedohet tutje pa pranuar Serbia krimet e gjenocidin në Kosovë, si e para, e vazhdojmë me të tjerat”, përfundon Tërmkolli.