Test: Ç’marrëdhënie keni me punën?

Prishtinë | 24 Nën 2022 | 02:00 | Nga Ekonomia Online

Tashmë janë gjithnjë e më shumë femrat që punojnë. Krahasuar me të kaluarën, figura femërore ka objektiva, aspirata dhe ëndrra gjithnjë e më të mëdha për karrierën dhe fushën profesionale. Por jo gjithmonë realiteti korrespondon me pritshmëritë dhe shumë femra kënaqen me pak ose nuk janë në kërkim të vazhdueshëm për të gjetur një vend pune më të mirë. Kemi përzgjedhur këtë test për të kuptuar se cili është raporti që femrat shqiptare kanë me punën e tyre…

1. Kur shkon në mëngjes në punë:

a. Pi kafe me kolegët

b. Shkëmben dy fjalë dhe, më pas, drejt e në punë

c. E pi kafen duke punuar. Nuk ke kohë për biseda

2. A ndihesh sikur je në garë me kolegët?

a. Shumë, mund të jem e pamëshirshme

b. Në disa raste, shfaq shpirtin garues

c. Shumë pak. Nuk është e nevojshme

3. Si i gjykon aftësitë për të dëgjuar të tjerët?

a. Mendja më shkon tjetërkund. Kam mijëra mendime që më vlojnë në kokë

b. Tregoj kujdes dhe ndërpres bisedën vetëm për të bërë pyetje

c. Dëgjoj me kujdes, por ndonjëherë më humbet përqendrimi

4. Si mendon se të konsiderojnë kolegët?

a. Një tip kokëfortë dhe shumë të vendosur për të mbrojtur idetë

b. Një njeri karizmatik dhe të aftë

c. Një njeri të pavarur

5. Del me kolegët për darka, kinema, teatër dhe të tjera evente që nuk i përkasin punës?

a. Po, shpesh

b. Ndonjëherë, nëse ka ndonjë rast të veçantë

c. Rrallë ose asnjëherë

6. Kolegia të tregon një problem personal:

a. E dëgjon dhe përpiqesh ta ndihmosh me sa mundesh

b. E dëgjon, por nuk di si ta këshillosh

c. E dërgon të flasë me një kolege tjetër. Me siguri kupton më tepër se ti

7.  A mund të jenë kolegët edhe miq?

a. Po, pa asnjë dyshim

b. Mendoj që po, edhe pse mua nuk më ka ndodhur kështu

c. Është shumë e vështirë. Ka shumë garë mes kolegesh

8. Eprori të përgëzon për një punë, të cilën e ke bërë në grup, por nuk iu thotë gjë kolegëve të tjerë:

a. I kujton shefit se kanë bashkëpunuar të gjithë kolegët

b. U thua kolegëve që eprori i përgëzoi edhe ata, ndonëse nuk është e vërtetë

c. Mundohesh të marrësh meritën më të madhe të punës

9. Gjatë pushimit të drekës:

a. Ha drekë bashkë me kolegët e zyrës

b. Qëndron në zyrë për të ngrënë me ndonjë kolege

c. Ha kur shkon në shtëpi ose vetëm në zyrë

10. Kur dëgjon një thashetheme negative për një kolege:

a. Dëgjon dhe ua tregon edhe të tjerëve. Është shumë interesant!

b. Shkon te kolegia dhe mundohesh të kuptosh nëse është e vërtetë apo jo

c. Bën sikur nuk ke dëgjuar gjë

REZULTATI I TESTIT

PROFILI A

Ke një marrëdhënie të shkëlqyer me kolegët

Kolegët e tu nuk janë vetëm të tillë, por miq të vërtetë me të cilët bashkëndan vendin e punës. Ndoshta jo me të gjithë të lidh një miqësi e fortë, por të punosh me ta e bën punën të kënaqshme dhe ia del të jesh e dëshiruar dhe e pranuar prej të gjithëve. Puna me ta shkon fjollë, pa thashetheme negative dhe pa ndjenjën e garës në mes.

PROFILI B

Ke raport të mirë me kolegët

Ndoshta nuk jeni miq të vërtetë, por me kolegët ia ke dalë të kesh një marrëdhënie të shkëlqyer. E respektoni njëri-tjetrin dhe, në këtë mënyrë, evitoni “stërkëmbëshat” që janë tipikë në një ambient pune. Nëse ka ndonjë problem, përballeni me ta duke folur qartë dhe thjesht.

PROFILI C

Do të doje kolegë të tjerë

Nuk ia ke dalë të kesh marrëdhënie të mira me kolegët. Përkundrazi! Disa prej tyre i urren me gjithë zemër dhe ndoshta e njëjta gjë vlen edhe për ta. Thashethemet dhe ligësitë janë në rend të ditës dhe kjo krijon një atmosferë të rënduar në zyrë. Paç fat!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme