Me 18 mijë testet rapide të porositura, Komuna e Prishtinës synon të identifikojë më shpejt rastet pozitive me COVID-19 në kryeqytet. Këto teste të shpejta pritet të ndihmojnë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës me regjistrim të rasteve pozitive.
Megjithatë, kur një test i tillë nxjerr rezultatin negativ, saktësia e tij duhet të verifikohet edhe me metodën e testimit PCR.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka shpjeguar se rezultati i këtij testimi bëhet gati për gjysmë ore. Sipas tij, pos mundësisë që të bëhen më shumë testime, do të zvogëlohet edhe koha e pritjes.
“Te rezultatet pozitive është mbi 99.9 për qind i saktë. Testimet që rezultojnë negative, sidomos te ata që kanë simptoma, referohen te testimi PCR. Nëse rezulton negativ e ka simptoma do të udhëzohet për në IKSHPK për testin PCR”, ka sqaruar ai për KTV-në.
Ai ka njoftuar se kur të nisë testimi me teste të shpejta, ky testim s’do të mund të bëhet në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare. Për këtë ka thënë se po e bëjnë me qëllim që të ketë centralizim të shërbimit e të mos rrezikohet me shpërndarjen e virusit.
Prioritet do të kenë ata që kanë simptoma.
Gashi po ashtu ka thënë se në bazë të konsultimeve të para presin që IKSHPK-ja t’i regjistrojë të dhënat që dalin nga testet e shpejta.
Testimi rapid është i ngjashëm me atë të metodës RT-PCR, me strisho.
Gashi ka shtuar se pret që këto teste të arrijnë në Prishtinë në fund të javës së ardhshme.
Deri tash në Kosovë janë kryer më shumë se 139 mijë testime me metodën PCR. Prej tyre 37 mijë e 792 kanë rezultuar pozitive.