Ngritja e kapaciteteve për reagim në situata emergjente, është një nga synimet kryesore të institucioneve të Kosovës, të paktën sipas deklarimeve të deritashme nga përfaqësuesit e këtyre institucioneve.
Por, deri më tash, efektshmëria e mekanizmave për situata emergjente nuk është testuar asnjëherë, thonë ekspertë për çështje të sigurisë.
Burim Ramadani nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, për Radion e Evropa e Lirë, thotë se një testim i tillë është i domosdoshëm, në mënyrë që të dihen rolet dhe përgjegjësitë e secilës agjenci të sigurisë.
“Respektivisht, nuk ka pasur asnjëherë testim të plotë të të gjitha institucioneve të sigurisë, emergjencës, shëndetësisë… se si do të reagonin në mënyrë të plotë në ndonjë rast të, qoftë terrorizmit, ose të fatkeqësisë natyrore, apo edhe në rast të ndonjë sulmi nga jashtë Kosovës”, thotë Ramadani.
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë miratuar Ligjin për fatkeqësitë natyrore dhe kanë hartuar dokumentet bazë siç është Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Emergjencave dhe Plani i Reagimit Kombëtar.
Hajriz Sejdiu nga Qendra për Menaxhimin e Emergjencave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë për Radion Evropa e Lirë, se një testim i kapaciteteve emergjente është realizuar nëvitin 2012.
“Ne kemi pasur një zjarr në vitin 2012, që ka ndodhur në komunën e Dragashit, kur nga zjarri qenë përfshirë 2800 hektarë pyje. Dhe, aty kemi testuar Planin e Reagimit Kombëtar, deri te ngritja e Qendrës së bashkuar fushore. Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, [AME],ka menaxhuar të gjitha asetet qeveritare që kanë ardhur nga Qeveria e Republikës së Kosovës në ndihmë nivelit lokal, gjegjësisht komunës së Dragashit për ta menaxhuar këtë zjarr, që kishte përfshirë një hapësirë të madhe”, thotë Sejdiu.
Por, për Ramadanin, në disa raste të fatkeqësive natyre, në Kosovë është vërejtur një mos-koordinim i aktiviteteve të agjencive të sigurisë.
“Në letër ekziston [koordinimi], por në praktikë nuk është testuar në formë të plotë, se kush është udhëheqës i cilit element në rast të reagimit kombëtar emergjent. Në një farë forme i bie që nëse Kosova do të kishte ndonjë rast të rëndë emergjent në nivel kombëtar, atëherë secili do institucion do të vepronte në mënyrën e vet në parim, por që nuk do të ishte një koordinim i duhur për të shpëtuar jetët e qytetarëve”, konsideron Ramadani.
Mirëpo, Hajriz Sejdiu thotë se sipas ligjit dhe dokumenteve bazë të miratuara nga Qeveria e Kosovës, detyrat dhe përgjegjësitë janë të ndara dhe zbatohen që nga niveli lokal e deri te niveli qendror.
“Niveli lokal është përgjegjës për menaxhimin e situatës. Në momentin kur niveli lokal i shtjerr resurset e veta, ato marrëveshjet e bashkëpunimit me komunat tjera dhe nuk ka më resurse, ajo e thërret Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave [AME]. DheAME – ja është e obliguar që të sigurojë ndihmë nga niveli qendror, sipas prioriteteve. Nëse nivelit lokal i duhet Forca e Sigurisë së Kosovës, [FSK] ne e dërgojmë atë, nëse i duhen shërbime mjekësore më të specializuara, ne i dërgojmë edhe ato”, shprehet Sejdiu për Radion Evropa e Lirë.
Me Planin e Reagimit Kombëtar, Koordinator i menaxhimit të incidenteve me karakter kombëtar, deri në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga presidenti, është Ministria e Punëve të Brendshme.
Në Kosovë funksionon edhe Këshilli i Sigurisë së Kosovës, i cili është organi më i lartë i sigurisë në vend dhe i cili ka rol këshillues në të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e Kosovës. Ai rekomandon politika dhe strategji për sigurinë.