Agjencia për Menaxhim të Emergjencave në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me ambasadën amerikane, Gardën e Iowa-s, si dhe në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse për sigurinë e vendit, janë duke mbajtur një ushtrim të quajtur “Reagimi i Përbashkët 2018”.
Ky ushtrim ka për qëllim që të testojë gatishmërinë e intervenimit të institucioneve vendore për planifikim dhe vendimmarrje, për reagim gjatë incidenteve që kanë karakter kombëtar.
Këtu janë duke prezantuar shumë institucione vendore, nga ato të shëndetësisë e deri te ato të sigurisë, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me incidentet dhe fatkeqësitë natyrore.
Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin të Emergjencave, Hajriz Sejdiu, tha që për punëtorët e sigurisë që ndërhyjnë në rastet emergjente ka pak përkujdes shëndetësor.
Ai shpjegoi se niveli lokal preket fillimisht nga incidentet emergjente e më pas ndërhyn niveli qendror, në rast se menaxhimi lokal nuk arrin që ta menaxhojë krizën.
Edhe drejtori i Akademisë për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, përshëndeti këtë ushtrim, i cili tha se është i nevojshëm për të qenë gjithmonë të përgatitur për të bashkëpunuar të gjitha institucionet për të zgjidhur problemet që kanë të bëjnë me incidente emergjente kombëtare.
Ushtrimet do të zgjasin gjatë gjithë ditës së sotme dhe në dy ditët në vazhdim.