Rastet me koronavirus te Prishtina e kanë vënë në dyshim zhvillimin e ndeshjes paraeliminatore të Ligës së Evropës kundër Lincoln Red Imps në Gjibralatar, që është paraparë të nisë sot në orën 18:00.
Stafi i Prishtinës i është nënshtruar testit për COVID-19 të hënën, derisa të martën pasdite ka pranuar rezultatet, ku siç mëson KOHA prej tetë lojtarëve të dalë pozitivë, tre janë të ekipit bazë. Drejt Gjibraltarit, Prishtina ka udhëtuar të hënën në mëngjes, derisa në mesditë futbollistët dhe stafi e kanë kryer testin për koronavirus.
Kjo mund të çojë në anulimin e ndeshjes nga UEFA. Një gjë e tillë i ndodhi Dritës, ku në turneun parakualifikues të Ligës së Kampionëve, nuk u lejua të luajë për shkak të rasteve pozitive brenda ekipit. UEFA regjistroi ndeshjen 3:0 në favor të ekipit kundërshtar.
Pasditen e së hënës futbollistët e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Lincoln Red Imps. Është hera e katërt për ekipin e Prishtinës që garon në kualifikimet e Ligës së Evropës.