Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se bashkimi i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën është pothuajse i pamundur, raporton Ekonomia Online.
“Në kuadër të vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi do të prezentoj kërkesën e institucionalizuar tani më të liderëve dhe qytetarëve të Luginës së Preshevës dhe Kosovës”.
“Se a do të mund të realizohet kërkesa e tyre do të jetë shumë vështirë, pothuajse e pamundur, por se do ta paraqes në tavolinë, do të njoftoheni shumë shpejt”.
Këto deklarata, Thaçi i ka bërë në një konferencë për medie pas takimit me liderët e këtyre tri komunave me shumicë shqiptare në Serbi.
Ai tha se ky takim është vazhdimësi e takimeve të mëhershme, të cilat sipas tij, qëllim parësor kanë informimin e drejtpërdrejtë për problemet, nevojat dhe sfidat e shumta me të cilët ballafaqohen shqiptarët në Luginën e Preshevës.
“Ne e kemi obligim që jo vetëm të dëgjojmë me vëmendje se cilat janë problemet kryesore, por gjithashtu të ndërmarrim veprime konkrete për adresimin e këtyre problemeve”.
“Kosova suksesshëm ka mbushur 10 vitet e shtetësisë së saj dhe tani duhet të ndërmarrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë për mbrojtjen e shqiptarëve që jetojnë edhe në Luginën e Preshevës”.
Thaçi ka shtuar se Kosova respekton tërësinë territoriale të shteteve fqinje, me këtë rast edhe të Serbisë, por nuk mund të mbyllë sytë ndaj përbuzjes së shqiptarëve.
“Serbia e ka për obligim që të respektojë dhe afirmojë të drejtën e minoriteteve. Fatkeqësisht është ende shumë larg përmbushjeve këtyre standardeve kur bëhet fjalë për shqiptarët e Luginës së Preshevës”.
“Ju premtoj të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës se Kosova do të përdor çdo mjet legjitim dhe demokratik për të mbrojtur të drejtat demokratike të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc”.
“Askush nuk ka të drejtë që aspiratën e vullnetit ta përziejë me çështje të lajme e të rrejshme”.