Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se thyerja e kufirit ndarës Kosovë-Shqipëri ka hapur një kapitull të ri,dhe shumë të rëndësishëm të fitoreve dhe rriti vetëbesimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës .
“Në Koshare, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dëshmoi se ishte përgatitur për të ndërmarrë operacione të luftës frontale me forcat serbe.
Thyerja e kufirit ndarës Kosovë-Shqipëri hapi një kapitull të ri, shumë të rëndësishëm të fitoreve dhe rriti vetëbesimin e ushtarëve tanë”shkroi Thaçi.
Beteja e Koshares e zhvilluar më 9 prill të vitit 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës . Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të ‘99-së, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.
Në Parkun e Dëshmorëve në Koshare sot prehen trupat e 114 dëshmorëve të kombit, tre prej tyre heronj të Kosovës: Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe Abaz Thaçi.