Thaçi: Çështjet mëdha për Kosovën të hidhen në referendum, edhe marrëveshja përfundimtare

Prishtinë | 03 Gus 2018 | 11:47 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti, Hashim Thaçi, konsideron se Ligji për referendumin është shumë i nevojshëm, sidomos për temat e mëdha, që ende nuk kanë marrë zgjidhje.

Në një konferencë për media, Presidenti Thaçi tha se, ndonëse Kosova nuk ka të drejtë të mbajë referendum,  do të shikohet që në të ardhmen e afërt të mundësohet që vullneti i qytetarëve të shprehet për temat e mëdha, raporton Ekonomia Online.

“Mirëpo, pyetja që shtrohet shumë shpesh është se: a është duke e kryer me sukses gjithmonë detyrën e tij kundrejt interesave të qytetarëve? Përgjigjen adekuate mund ta japin qytetarë e vendit, por unë mendoj se ka ardhur koha që ne ta fuqizojmë edhe më tepër zërin dhe rolin vendimmarrës të qytetarëve të vendit tonë”.

“Natyrisht, kemi mbushur 10 vite të funksionimit si shtet i pavarur dhe demokratik, dhe për arsye të njohura, deri më sot, jemi ndër shtetet e pakta demokratike që ende nuk kemi arritur të miratojmë legjislacionin e domosdoshëm për të fuqizuar rolin vendimmarrës të qytetarëve, konkretisht nuk e kemi të drejtën për të mbajtur referendum”.

“Në shërbim të këtij qëllimi, unë jam duke zhvilluar konsultimet e nevojshme ndër-institucionale, por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, që në një të ardhme të afërt, ne bashkërisht të pajtohemi për të proceduar me legjislacionin adekuat për të bërë të mundur që zëri dhe vullneti i qytetarëve në çështjet e rëndësisë vitale, të shprehet nëpërmjet referendumit”.

“Sidomos, në rastin e arritjes së marrëveshjes eventuale paqësore për normalizim dhe pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e konsideroj si të domosdoshëm deklarimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet referendumit. Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të jenë në gjendje që të bëhen vendimmarrës në këtë proces kaq të rëndësishëm, sidomos tani kur jemi dëshmitarë të divergjencave të theksuara ndërmjet partive parlamentare në parlamentin e Kosovës për dialogun dhe marrëveshjen eventuale përfundimtare”.

Thaçi ka deklaruar se qytetarët duhet të japin mendimin e tyre sa i përket asaj se a duan që Lugina e Preshevës, Medvegja e Bujanovci të bashkohen me Kosovën dhe a duan që të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë, raporton EO.

“Do të punojmë të instalojmë të drejtën e referendumit që qytetarët për çështje madhore të japin mendimin e vet. Le të deklarohen vetë qytetarët se a duan bashkëngjitjen e Preshevës, apo jo, a duan arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Vuçiqi duhet të dëgjojë idenë për bashkimin e Preshevës me Kosovën, i pëlqeu apo nuk i pëlqeu”.

 

Të ngjashme