Thaçi del kundër reciprocitetit: Nuk guxojmë të marrim vendime që na largojnë nga SHBA dhe BE

Prishtinë | 21 Shk 2020 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës po i afrohet vitit të fundit të mandatit të tij si President dhe për BBC-në në gjuhën serbe flet për të gjitha gjërat që mund të ndryshohen gjatë këtij viti.

Teoria politike thotë se çdo pushtet hapat e mëdhenj dhe vendimet e mëdha i merr në vitin e parë të mandatit, në mënyrë që mund t’i menaxhojë pasojat e saj deri në zgjedhjet e ardhshme.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për më pak se një muaj hyn ne vitin e fundit të mandatit pesëvjeçar, të shënuar me negociatat e papërfunduar mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Nëse diçka ka për të ndodhur në negociata me Serbinë, do të ndodh këtë vit.

Nëse nuk ndodh gjatë këtij viti, kam frikë që do të humbim dekadat e tëra”, thotë Thaçi në intervistë për BBC-në në gjuhën serbe.

Edhe pse pjesëmarrësit e tjerë në negociata thonë se nuk ka presione dhe nguti, Thaçi shpjegon se viti përfundimtar i mandatit të parë të presidentit amerikan Donald Trump është koha më e mirë për marrëveshje në Ballkan.

“Nuk mendoj se mund ta fitojmë prape vëmendjen e presidentit Trump, të SHBA-së dhe ekipit të tij.

Ky kthim i vëmendjes së SHBA-së drejt rajonit tonë është bekim nga zoti për Kosovën, por edhe për Serbinë – ne duhet ta shfrytëzojmë këtë.”

Presidenti i Kosovës fuqishëm i mbështeti nënshkrimet e fundit të letrave të shprehjes së interesit për vendosjes e transportit ajror dhe hekurudhor mes Beogradit dhe Prishtinës, që janë pjesë e dakordimeve të arritura nën patronatin e të dërguarit të presidentit amerikan, Richard Grenell.

Thaçi edhe vet ishte pjesë e negociatave në Bruksel me presidentin serb Aleksandër Vuçiqin, të cilat i ka udhëhequr legjislatura paraprake e Komisionit Evropian, e që deri tani nuk rezultuan me marrëveshje përfundimtare, por rezultuan me një varg marrëveshjesh, nga të cilat vetëm disa janë zbatuar.

Nga “kurrë s’kemi qenë më afër” deri te “jemi shumë larg”

Përvoja e Hashim Thaçit në negociata me Serbi matet me dekada.

Pothuajse nuk ka pasur tavolinë të negociatave ku nuk ka qenë i pranishëm edhe ai, që nga viti 1999, kur si njëri nga liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte pjesë e delegacionit në Rambuje.

“Kurrë s’kemi qenë më afër marrëveshjes sepse shumë procese të tjera janë përfunduar – Kosova është e lirë dhe e pavarur, kurse Serbia di për pavarësinë e Kosovës.

Në të njëjtën kohë, jemi shumë larg – shumë do të varet nga liderët e të dy vendeve, a do të investojnë në të ardhmen apo do të mbesin peng i së kaluarës”.

Thaçi së bashku me Ivica Daçiqin, kur të dytë ishin në funksionet e kryeministrave, e nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013.

Me Aleksandër Vuçiqin ka biseduar në nivelin presidencial në negociata të cilat i ka udhëhequr ish Përfaqësuesja e Lartë evropiane Federika Mogerini, por këta dy u takonin edhe në forume të ndryshme ndërkombëtare edhe atëherë kur negociatat, zyrtarisht nuk kanë ekzistuar.

“Nuk e kam relacion të veçantë dhe personal me presidentit Vuçiq – ne jemi presidentë të shteteve të pavarura, të zgjedhur në mënyrë legjitime, kurse unë i promovoj qëndrimet e vendit tim në çdo forum dhe para të të gjithë zyrtarëve, duke e përfshirë këtu edhe presidentin e Serbisë.

Kemi pasur shumë dallime në të kaluarën, ato ekzistojnë edhe sot, por kjo nuk duhet të na pengojë që si dy presidentë të bisedojmë për të ardhmen”.

Në të ardhmen, Thaçi konsideron se as Kosova, as Serbia, nuk mund të llogarisin në anëtarësim në Bashkim Evropian (BE) pa marrëveshje përfundimtare.

“Nëse e humbim këtë mundësi, do të qajmë para dyerve të Brukselit, por kjo nuk do ta shqetësojë askënd e as nuk do t’i interesojë askujt”, përfundon ai.

“Konfrontimi me Serbinë nuk ndihmon marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në”

Edhe pse të ardhmen e sheh në Bashkimin Evropian, Hashim Thaçi kohëve të fundit i kritikon ashpër diplomatët nga Brukseli dhe politikën e vet e ndërlidh me marrëdhëniet pozitive me Shtetet e Bashkuara.

“Kjo sepse ata e meritojnë të kritikohen – madje i kemi kursyer nga kritikat, edhe pse jemi të vetëdijshëm që kritika nuk ka kurrfarë ndikimi.

Megjithatë, duhet të jem i hapur me qytetarët e mi, sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por Kosova ende, padrejtësisht mbetet e izoluar.

Kosova ndjehet e tradhtuar dhe dënuar për shkak të mungesës së unitetit mes anëtarëve të BE-së”.

Për shkak të të gjitha këtyre gjërave, Thaçi veçanërisht i përshëndet marrëveshjet që janë arritur nën patronatin e Richard Grenell.

“Roli udhëheqës i SHBA-ve është i pazëvendësueshëm dhe kjo gjë është thënë qartë në dy letra të dërguara nga presidenti Trump, kurse ambasadori Grenell vetëm i ndjek udhëzimet që i ka marrë nga presidenti.

Është esenciale që të ketë koordinim të plotë mes Uashingtonit dhe Brukselit, por është e qartë se Uashingtoni është duke i çuar gjërat përpara më mirë dhe më fuqishëm.”

Mesazhin e Uashingtonit që Serbia duhet ta ndalojë fushatën për tërheqje e njohjeve të Kosovës, kurse Prishtina duhet ta tërheq taksen 100% ndaj produkteve nga Serbia, e sheh si iniciative të mirëseardhur.

“Çdo sukses i Kosovës është meritë e institucioneve të Kosovës, por është edhe rezultat i bashkëpunimit me partnerët në SHBA dhe Evrope.

Nuk mund të paramendoj që Kosova të përparojë pa bashkëpunim me partnerët tanë.”

Ndaj paralajmërimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që është i gatshëm të zëvendësojë tarifat e diskutueshme me “masa reciprociteti”, Thaçi, i cili as nuk e kritikoi shumë por as nuk e mbështeti fuqishëm vendimin e qeverisë së mëparshme të Ramush Haradinajt, thotë se Prishtina duhet të mendojë për shumë gjëra.

“Nuk guxojmë të marrim vendime populiste – për të thënë se po e ndëshkojmë Serbinë, kurse në të vërtetë të largohemi nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.

Konfrontimi me Serbinë nuk ndihmon marrëdhëniet e Kosovës me Uashingtonin dhe Brukselin, kurse zgjidhja e vetme ku të gjithë përfitojnë është arritja e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.”

Faktin që presidenti dhe kryeministri i porsazgjedhur janë shfaqur ndaras në Konferencën e Sigurisë në Munih, si dhe që pikëpamjet e tyre dallojnë sepse vijnë nga opsionet e ndryshme politike, Thaçi e sheh si arsye për bisedime brenda Kosovës.

“Qeveria dhe opozita duhet t’i harmonizojnë qëndrimet, duhet të shfaqemi të unifikuar para Serbisë – pa dallime mes nesh.”

Në rrethana të tilla, Thaçi nuk tregon cilat janë temat e ardhshme në bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, duke pasur parasysh që publiku nuk ka ditur asgjë as për negociata që lidhen e komunikacionin.

“Ende jemi duke shqyrtuar cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm.

Kam besim në rolin e ambasadorit Grenell dhe besoj se ai do të jetë i suksesshëm në rolin e tij”, thotë Thaçi.

Kosova e lirë, krenare dhe e pavarur – 12 vite më vonë

Hashim Thaçi ishte kryeministër kur Kosova më 17 shkurt të vitit 2008 e shpalli pavarësinë, kurse fjalimi i tij në Kuvendin e Kosovës për Prishtinën zyrtare është momenti nga i cili llogaritet koha e shtetësisë.

Në atë fjalim, para shumë kamerave, Thaçi pat thënë se Kosova është “e lire, krenare dhe e pavarur”.

Pas 12 vitesh ai pohon se të tri kualifikimet ende qëndrojnë, madhe edhe më fuqishëm se sa në vitin 2008.

“Kosova e ka ndërtuar demokracinë qytetare, vendin shumetnik, të gjitha komunitetet janë të integruara në jetën politike dhe shoqërore.

Rritja ekonomike prej 4 % çdo vjet, shoqëria civile është konsoliduar, kurse mediat janë më shumë së të lira”.

E cek numrin e 115 vendeve që e kanë njohur pavarësinë, edhe pse Beogradi zyrtar pohon se numri është dyshifror.

Thaçi thotë se vendi është anëtar në më shumë se 200 organizata ndërkombëtare, por nuk është anëtarë në ato organizata që i synon – Interpol, UNESCO dhe OKB.

“Duhet të kemi më shumë zhvillim ekonomik, më shumë punë, përmirësim të standardit të jetës.

Por, as një vend në histori nuk ka arritur kaq shumë, sa ka arritur Kosova për 12 vjet.”

Megjithatë, pavarësisht nga pohimet e tilla të presidentit, pikërisht në ditët e shënimit të pavarësisë, në komuna me popullate serbe në Kosovë, u shfaqen grafitë me mesazhet se Kosova është Shqipëri dhe se pjesëtarët e UÇK-së janë heronj.

Thaçi pohon se këto janë mbetjet e së kaluarës.

“Dallimet në narrativët aktualë janë rezultat i ngjarjeve në të kaluarën dhe këto narrative po mbijetojnë.

Ky nuk është rast vetëm në Kosovë por edhe në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe kudo ku ka pas luftë”.

Për shkak të kësaj, konsideron ai, është i domosdoshëm “durimi strategjik”.

“E kam iniciuar krijimin e Komisionit për të vërtetën dhe pajtim, ku janë përfaqësuar të gjitha komunitetet, përfshirë dhe atë serb.

Kosova nuk i përket një komuniteti më shumë e një tjetri më pak, Kosova është shtëpia e të gjithë qytetarëve të saj dhe shpresoj se gjërat do të përmirësohen dhe që do ta kemi një hapësirë evropiane në të gjithë Ballkanin Perëndimor.”

Fantashkencë (trillim shkencor) i Dik Martit

Kur para 5 vitesh u themelua Gjykata Speciale për krime në Kosovë, ky ishte një mesazh i qartë i bashkësisë ndërkombëtare që institucionet në Kosovë nuk arritën t’i luftojnë rastet e krimeve, të rasteve të pretenduara me tregti me organe, të vrasjeve që janë kryer në të kaluarën.

“Gjykata Speciale do te merret me diçka që është trillim shkencor, siç është raporti i Dik Martit.

Por, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë, që pas 10 vitesh hetime, ta dinë a ka pasur në të vërtetë tregti me organe apo jo, gjë që ishte edhe arsyeja e themelimit të gjykatës.”

Hashim Thaçi pohon se organet ndërkombëtare për këtë e kanë ndihmën e Kosovës.

“Kosova i ka përmbushur obligimet ndaj Gjykatës Speciale, bashkëpunon më shumë me organet e drejtësisë ndërkombëtare nga çdo shtet në rajon.

Këtë e bëjmë për ta ruajtur partneritetin më Uashingtonin dhe Brukselin.”

Njëkohësisht, Thaçi fton që puna e Gjykatës Speciale të mos politizohet.

“Shpresoj që gjykata nuk do të jetë monoetnike sepse kjo do ta dëmtojë thellësisht reputacionin e këtij institucioni, nëse nuk do të merret me gjenocidin që e ka kryer Serbia në Kosovë – duke i vrarë më shumë se 12 mijë civilë shqiptarë, duke i kryer 400 masakra mbi popullatë, i kemi 20 mijë viktima të dhunës seksuale të kryer nga forcat serbe, dhe më shumë se 1300 fëmijë të vrarë.

Nëse krimet nuk zgjidhen, ne do ta kemi amnisti ndërkombëtare për krimet e kryera në Kosovë, dhe atëherë besueshmëria e Gjykatës speciale do të jetë zero.”

Sidoqoftë, një thirrje e Gjykatës Speciale është arsyeja zyrtare e rënies së qeverisë së Ramush Haradinajt, një tjetër prej ish-drejtuesve të UÇK-së, dhe e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë më 6 tetor 2019.

Performanca e dobët e Haradinaj e ka quar karrierën e tij drejt opozitës.

Kur u pyet nëse puna e Gjykatës Speciale mund të ndikojë në karrierën e tij politike, Thaçi u përgjigj shkurt:

“Jo”.

Thotë se pret që edhe përvjetorin e ardhëm të pavarësisë ta pret në Kabinetin e Presidentit të Kosovës.

Presidentin e Kosovës e zgjedhin deputetet e Parlamentit të Kosovës, kurse ish partia politike e Thaçit, tani është në opozite.

Në pyetjen, a do të kandidojë për mandat të ri, Thaçi nuk ka përgjigje përfundimtare.

“Varët nga rrethanat. Do të mundohem të mësoj edhe diçka tjetër, përveç politikës, por tani për tani jam i fokusuar në punën e presidentit.”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme