Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka dënuar sulmet që ndodhën një ditë më parë në Berlin e Cyrih si dhe aktin e vrasjes së ambasadorit rus në Turqi.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook Thaçi ka thënë se “sulmet në kryeqendrat evropiane janë sulme kundër civilizimit dhe vlerave që me shumë sakrificë janë ndërtuar. Është detyrë e të gjithë neve që t’i mbrojmë këto vlera, duke lënë një trashëgimi për brezat e ardhshëm”.
“Populli i Kosovës ndan dhimbjen me familjet, popujt dhe shtetet e Gjermanisë dhe Zvicrës për të vrarët dhe të plagosurit në sulmet në Berlin dhe në Cyrih”, ka shkruar Thaçi, raporton Ekonomia Online.
“Njësoj i dënueshëm është edhe akti i vrasjes së diplomatit rus në Ankara. Diplomatët janë ura mes shteteve dhe kombeve, përmes punës së tyre për përmirësimin e komunikimit dhe mirëkuptimit mes popujve. Ata janë çelës i zgjidhjes së problemit e jo vetë problemi”.
“Nuk mund të zmbrapsemi para dhunës, por duhet të qëndrojmë të fortë, të përgatitur dhe vigjilentë në angazhimin tonë për paqe dhe stabilitet”, ka shkruar Thaçi.