Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan, në kuadër të manifestimit “Epopea e Dukagjinit”, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se heronjtë dhe dëshmorët janë e vërteta, nderi dhe historia jonë e lavdishme.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Haradinaj tha se dëshmorët do të jenë frymëzimi për ta mbrojtur të drejtën tonë.
“Heronjtë dhe dëshmorët janë e vërteta, nderi dhe historia jonë e lavdishme. Në kujtim dhe nderim të sakrificës sublime për lirinë e atdheut, homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ku prehen përjetësisht djemtë tanë më të zot. Dëshmorët e 24 Marsit, Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj dhe Agron Mehmetaj do të jenë burim frymëzimi për ta mbrojtur të drejtën tonë, sot, nesër e përgjithmonë. Lavdi të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Pos krerëve të shtetit, homazhe kanë bërë edhe personalitete të shumta dhe qytetarë.
Kjo ditë i kujtua si fillimi i luftimeve në Dukagjin, kurse, një vit më vonë ishte edhe fillimi i bombardimeve të NATO-së, kundër forcave ushtarake dhe policore serbe.
LEXO EDHE: 21-vjet të “Epopesë së Dukagjinit”, homazhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan