Javën e ardhshme, pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Të paktën këtë kërkesë ka pasur i nominuari për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, në takimin e parë me presidentin Hashim Thaçi, që u zhvillua në një nga restorantet e kryeqytetit.
Presidenti Thaçi ka qenë i pari që ka dalë nga takimi, por që nuk ka folur asnjë fjalë lidhur me të.
Haradinaj nuk e ka pasur problem një gjë të tillë. Ai i ka thënë KTV-së se tani janë krijuar parakushtet për seancën konstituive dhe nuk ka nevojë të humbet kohë.
Megjithatë, sipas Haradinajt, nuk ka pasur dakordim për një datë për seancën.
Pjesë e këtij takimi, KTV-ja ka kuptuar se kanë qenë edhe deputeti dhe nënkryetari i AAK-së, Daut Haradinaj, dhe ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi.
Përndryshe, gjatë ditës, Ramush Haradinaj ka pritur në një takim ambasadorin e Hungarisë, Laszlo Markus, me të cilin ka biseduar për formimin e institucioneve të Kosovës.
Edhe në këtë takim, Haradinaj ka përsëritur se krijimi i institucioneve të reja do të bëhet shumë shpejt, por pa e përcaktuar kohën se kur.