Thaçi e Haradinaj takohen me ambasadorët e NATO-s

Prishtinë | 27 Tet 2017 | 13:54 | Nga

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Ramush Haradinaj dhe Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës,  Dalibor Jevtiq, kanë pritur sot Ambasadoren e SHBA-së në NATO, Kay Bailey Hutchison dhe ambasadoren e Britanisë së Madhe në NATO, Sarah MacIntosh, të shoqëruara nga ambasadorët respektivë në Kosovë, me të cilat ka biseduar për zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë në zhvillimet në sektorin e sigurisë.

Presidenti Thaçi duke falënderuar për vizitën ka treguar për të arriturat e Kosovës në konsolidimin e shtetit në të gjithë sektorët.

“Zgjedhjet e suksesshme komunale, të standardeve më të larta, si dhe përmbyllja e shtrirjes së sistemit juridik të Kosovës në tërë territorin e Kosovës janë të arriturat e fundit”, u shpreh Presidenti Thaçi.

“Ndërsa zhvillimi ekonomik, forcimi i sundimit të ligjit, dialogu dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore janë angazhim i yni i përhershëm”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Duke theksuar se roli i NATO-s është i pazëvendësueshëm për paqen në Kosovë dhe në rajon, Presidenti Thaçi u shpreh se janë plotësuar kushtet që edhe Kosova të formojë forcat e saja të armatosura që të lirojë NATO-n nga barra e mbajtjes së paqes në rajon.

Duke folur për procesin e transformimit të FSK-së, Presidenti Thaçi u shpreh se ky proces do të jetë transparent, i koordinuar me partnerët e Kosovës dhe shtoi se Kosova do të implementojë të gjitha kriteret e kërkuara për transformim të suksesshëm të FSK-së.

“Do të jetë forcë e standardeve të NATO-s, multi-etnike, në shërbim të të gjitha komuniteteve”, u shpreh Presidenti Thaçi.

“Jemi populli më pro-NATO dhe pro-BE në rajon e më gjerë”, u shpreh Presidenti Thaçi, dhe shtoi se “politikat tona janë konform këtij orientimi”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u shpreh se “orientimi i qytetarëve të Kosovës është i qartë, drejt vlerave euro-atlantike, dhe ky është udhërrëfyes për përpilimin e politikave qeverisëse”.

Duke folur për transformimin e FSK-së dhe afrimin me NATO-n, Haradinaj u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përmbyllë infrastrukturën e sigurisë dhe të paqes në Kosovë dhe në rajon.

Kryeministri Haradinaj shtoi se reformat gjithëpërfshirëse, forcimi i sundimit të ligjit, garantimi i sigurisë së qytetarëve janë prioritet i përhershëm i qeverisë.

Zëvendëskryeministri Jevtiq u shpreh i kënaqur që “vota në zgjedhjet e fundit ishte votë për politikat e bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës”.

Ambasadorja Hutchison u shpreh e lumtur që të gjithë liderët e Kosovës flasin me një zë për projektin e Kosovës në të cilën të gjithë qytetarët do të jenë të lirë e të barabartë dhe shtoi se Kosova është e mirëseardhur që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s.

Ambasadorja MacIntosh në anën tjetër u shpreh se Kosova gëzon mbështetje të vazhdueshme për perspektivën e saj euro-atlantike dhe mirëpriti përkushtimin e Kosovës për forcim të sundimit të ligjit, për dialog dhe për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore.

Presidenti Thaçi në fund të takimit u shpreh i kënaqur me përkrahjen e shprehur dhe inkurajimin e marrë nga partnerët e Kosovës.

“Po punojmë që Kosova të jetë storie e suksesit për të gjithë”, përfundoi Presidenti Thaçi.

 

 

Të ngjashme