Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ritheksoi se vendimi i Hotit për heqjen e reciprociteti ndaj Serbisë ka qenë një vendim i duhur, teksa shtoi se sipas tij, kryeministri i ri i vendit, për dallim nga kryeministri paraprak, në ekspozenë e tij nuk ka pasur kauza populliste.
“Hotin nuk e njoh personalisht, nuk kam pasur ndonjë afërsi në punë me të. Në kohën e partneritetit me LDK, apo si president i vendit me kryeministrin Mustafa kemi pasur një bashkëpunim tepër të mirë, kështu që e theksoj përsëri në ekspozenë e tij të prezantuar në kuvend. Ka qenë një ekspoze i mirë, vendimet që i ka marrë në ditët e para janë për t’u vlerësuar, në veçanti largimi i disa temave populliste dhe kauzave të rrejshme që e kanë dëmtuar vendin. Mendoj që është për t’u vlerësuar dhe unë e kam deklaruar publikisht. Në veçanti çështja apo kurthi që e vuri Kurti për qeverinë Hoti sa i përket reciprocitetit dhe çështjeve të tjera”.
Thaçi tha në Rubikon në Klan Kosova, se vendosja e reciprocitetit nga Kurti nuk ishte në të mirën e vendit.
“Në orët e fundit të nxirret ai vendim, i cili ishte i dëmshëm dhe i panevojshëm për mirëfunksionimin e Qeverisë së re. Secili mund të pyeste po përse nuk e mori këtë vendim në fillimet e veta por vendimi i fundit ishte ky”.
Duke folur për mos votimin e qeverisë Hoti nga PDK-ja, Thaçi tha se ky subjekt ka vazhduar të jetë konsistent në qëndrimet e veta.
“Unë mendoj që Partia Demokratike e Kosovës ka marrë vendimin që i takon si parti, ka marrë vendim që është vlerësuar se është në interesin e shtetit, në interesin e demokracisë, në interesin e partisë dhe në interesin e funksionimit edhe më normal të pluralizmit në Kosovë po edhe të interesit të partive”.