Thaçi e Vuçiq patën rastin të takohen edhe në Aeroportin e ri të Stambollit

Prishtinë | 29 Tet 2018 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Thaçi e Vuçiq, po qëndrojnë me ftesë të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në hapjen solemne të aeroportit të ri të Stambollit.

Thaçi e Vuçiq janë dy nga shumë liderë botërorë, të cilët morën ftesën në inaugurimin e hapjes së aeroportit gjigant në Stamboll.

Dy presidentët shihen të jenë fotografuar krah liderëve të tjerë në këtë ngjarje.

Sipas të dhënave të mediave turke, në ceremoninë e hapjes do të marrin pjesë të ftuar të shumtë të huaj, në mesin e të cilëve gjenden edhe krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe ministra të transportit. Deri më tani, siç njoftohet, mbi 50 zyrtarë të lartë kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërkohë që ceremonia do të ndiqet në mbarë botën.

Aeroporti është ndërtuar në një hapësirë prej 76.5 milionë metrash katrorë, ndërsa për hapjen e fazës së parë janë investuar gjashtë miliardë euro.

Ndërkaq, faza e dytë pritet të përfundojë deri në vitin 2023. Për ndërtimin e aeroportit, i cili do të jetë më i madhi në botë, janë angazhuar rreth dhjetë mijë punëtorë.

Pas përfundimit të punimeve, aeroporti do të përbëhet nga gjashtë pista të ndara me një kapacitet për 500 avionësh, parking të hapur dhe të mbyllur me kapacitet për 70 mijë automjete dhe në vit do t’u shërbejë 200 milionë pasagjerëve.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme