Ndryshimi i kufijve të Kosovës nëpërmjet marrëveshjes së fazës përmbyllëse të dialogut nuk është përjashtuar të premten as nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Madje, ka lënë të kuptohet se shkëmbimi i territoreve me Serbinë përbën opsion në tavolinë.
Pas një bashkëbisedimi që e ka pasur në rezidencën e tij me studentë të juridikut, kreu i shtetit është pyetur në lidhje me një qëndrim të ri amerikan përkitazi me territorin, shkruan sot Koha Ditore.
“Çdoherë, këshillat, sugjerimet e SHBA-së kanë qenë të mirëseardhura për ne. Mendoj dhe vlerësoj se edhe deklarimi i sinqertë dhe shumë i përgjegjshëm i ambasadorit të SHBA-së, duhet të merret seriozisht nga të gjithë, pa dallim”, ka thënë presidenti Thaçi. “Një gjë duhet kuptuar: kur të flet ambasadori i një vendi, flet shteti. E kësaj radhe ka folur ambasadori i SHBA-së, shtetit më të fuqishëm në botë, prej të cilit i kemi të gjitha të mirat ne”.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, gjatë një interviste që të enjten mbrëma e ka dhënë në Rubikon të KTV-së, nuk e ka mbrojtur qëndrimin e dhënë në të njëjtin emision në vitin 2017. Atëherë kishte deklaruar se “për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndarja e vendeve apo rindarja e vendeve përgjatë vijave etnike mbetet plotësisht ‘jashtë tavolinës’”. E, të enjten, atij i janë bërë pesë pyetje rreth së njëjtës çështje. Por, ka refuzuar të japë një përgjigje konkrete, nën arsyen se nuk do të flasë për atë se çka mund të jetë një element i ujdisë përfundimtare.