Intensifikimi i negociatave dhe takimeve ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, si dhe deklarimet e tyre që janë afër arritjes së një marrëveshjeje, si duket kanë bërë që presidenti Thaçi të mos ndërmarr ndonjë veprim pas skadimit të afatit të tij 48 orësh.
RTK raporton se Presidenti Thaçi nuk dëshiron të interferojë me vendimmarrjen e tij në rrjedhën e negociatave, duke shpresuar në arritjen e një marrëveshjeje politike mes palëve, e cila do ta bënte të mundur krijimin e shpejt të qeverisë së re.
Sipas këtij burimi, afati 48 orësh ka ndikuar në intensifikimin e negociatave dhe për presidentin Thaçi tani është e rëndësishme që palët të negociojnë pa presione vendore apo ndërkombëtare, si dhe të arrijnë marrëveshje politike që siguron stabilitet institucional.
Zyra e Informimit e këtij institucioni nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara rreth skadimit të afatit 48 orësh, që presidenti kishte përmendur pas takimit me Kurtin, i cili përkundër që kishte premtuar se do ta dërgojë emrin e mandatarit pas mbledhjes së kryesisë së Vetëvendosjes, ai këtë ende nuk e ka bërë.