Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit të sotëm në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ishte një takim shumë i vështirë, megjithatë me tone pozitive për të gjetur një zgjidhje më të mirë për të dyja shtetet.
Në Bruksel janë takuar sot Thaçi e Vuçiq në një dialog të udhëhequr nga përfaqësuesja e BE-së, Federica Mogherini, transmeton koha.net.
“Ka qenë një takim jo i lehtë, por me tone pozitive për të shikuar interesin e të dyja vendeve. Mbes me shpresë se do të punojmë në mënyrë progresive dhe do të punojmë për paqe dhe të mos provokojmë njëri-tjetrin, edhe nëse nuk arrihet marrëveshja përfundimtare. E dimë se jemi në një bisedim të një konflikti një shekullor dhe është shumë i ndjeshëm. Por edhe e kaluara jonë historike dhe gjeografike na imponon për marrëdhënie të mira”, është shprehur ai.
Ai ka theksuar se ky është momentumi i duhur për të arritur marrëveshje, pasi në mungesë të saj të dyja vendet do të humbnin shumë.
“Ky është momentum i duhur dhe përndryshe nëse e humbin këtë momentum do të paguajmë shtrenjtë të dy palët. Sot nuk kemi diskutuar për çështje konkrete, kemi diskutuar për rrugën se si do të shkojmë për rrugën përfundimtare të gjetjes së zgjidhjes për popujt tonë. Jetojmë pranë njëri-tjetrit e njohim njëri-tjetrin dhe duam të ndërtojmë raporte normale”, ka thënë Thaçi.
https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/videos/2005284639541885/