Politika vendore dhe ndërkombëtare nuk duhet të politizojë me fatin e të pagjeturve, ka thënë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në konferencën e organizuar nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, raporton Ekonomia Online.
Në ketë konferencë u tha se të gjitha shtetet e dala nga ish-Jugosllavia kanë probleme me çështjen e të zhdukurve.
Në konferencën që është duke u mbajtur në një nga hotelet në kryeqytet është, thënë se në këtë drejtim nuk është bërë mjaftueshëm nga shtetet përkatëse.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se është e dhimbshme dhe e papranueshme, që tërë këto vite që nga fundi i luftës ende nuk është zbardhur fati i të gjitha viktimave.
“Çështja e të pagjeturve është çështje humanitare dhe politika, qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare, duhet të qëndrojë larg kësaj teme”, theksoi presidenti Thaçi.
Ai më tej tha se si protagonist i zhvillimeve politike në vend por edhe në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, mbetet i angazhuar që çështja e të pagjeturve të trajtohet dhe të mbyllet me urgjencë.
“Jam zotuar para jush, z. Çerkini dhe z. Trifunoviq, dhe e përsëris edhe sot, se personalisht do të angazhohem edhe më fuqishëm që të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve në Kosovë dhe të mbyllet ky kapitull i dhimbshëm për të gjithë ne” pohoi Thaçi.
Presidenti Thaçi, ndër tjera tha se bashkëpunimi që keni në mes vete, tejkalimi i ndasive përgjatë vijave etnike, kuptimi se kemi dëshira të njëjta, janë shembull për të gjithë ne, raporton EO.
“Duke parë shembullin tuaj, jam bindur për nevojën për të iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim në Kosovë. Ky mekanizëm do të ndihmojë që të realizohet e drejta e viktimave por edhe të gjithë qytetarëve që të dinë se çfarë ka ndodhur me ta dhe me të dashurit tuaj” shtoi ai.
Sipas tij, viktimat, si edhe e tërë shoqëria, kanë nevojë të përmbushet edhe e drejta për drejtësi. ” Prandaj kam kërkuar nga organet e drejtësisë në Kosovë, tani që kanë marrë kompetencat për të hetuar edhe krimet e luftës, që t’i japin prioritet ndjekjes së krimeve të luftës” vijoi Thaçi.
Ai më tej tha se jam i njoftuar edhe me sfidën e identifikimit të mbetjeve mortore.
“Është e kuptueshme dhimbja e familjeve që presin të mësojnë fatin e të dashurve të tyre për të cilët nuk dinë që gati dy dekada. Është e kuptueshme edhe dhimbja e atyre që megjithatë kanë marrë një mbyllje për fatin e familjarëve të tyre” theksoi Presidenti.
Presidenti Thaçi tha se këtë dhimbje e ndajmë të gjithë, sikur që ndajmë edhe përkushtimin që të identifikohen të gjitha viktimat, të gjitha mbetjet e gjetura, porse kjo çështje kërkon maturi, durim dhe dhembshuri nga të gjithë ne.
“Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të përkrahin çdo iniciativë, çdo familje, që përballet me dhimbjen”, vijoi Thaçi, derisa shtoi se do të ndihmojnë që të mbyllet çdo rast.
“Prandaj ne përkrahim çdo iniciativë tuajën, qoftë në nivel shtetëror, qoftë në nivel rajonal, që të ndihmohet në zbardhjen e fatit të të pagjeturve” shtoi ai
Chablise Stoner nga Ambasada e Britanisë së madhe është shprehur se ambasada është e përqendruar në dosjen me bazën e të dhënave.
“Ambasada ka pasur një punëtori me familjet të cilat kanë persona të zhdukur. Ambasada ka filluar të shoh rolin e hisedarëve, në mënyrë që të shoh edhe ligjin dhe sfidat me të cilat ballafaqohen njerëzit, sa u përket çështjes së personave të zhdukur”, ka thënë Chablise Stoner, derisa sa ka shtuar se ambasadës kjo i ka ndihmuar që të identifikojë fushat në të cilat mund të kontribuojnë, raporton EO.
Bajram Qerkinaj, ka thënë se Qendra Burimore nuk është vetëm për të pagjeturit, por për të gjithë popullin multientik dhe tregon se si mund të punohet në të mirë të Kosovës.
Ai ka treguar që kanë pasur takim me Kryqin e Kuq ndërkombëtar, ku kanë marrë rekomandime për punë të mëtutjeshme.