Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Republikës së Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski.
Presidenti Thaçi pasi e ka uruar për detyrën e re presidentin Pendarovski, e ka ftuar atë që të punojnë së bashku për thellimin e bashkëpunimit rajonal.
“Presidentit të zgjedhur të Maqedonisë Veriore dhe qytetarëve të Maqedonisë Veriore ua uroj marrjen e detyrës së presidentit edhe formalisht. Mirëpres bashkëpunimin drejt integrimit euroatlantik të vendeve tona”, u shpreh presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi e ka ftuar presidentin e ri Pendarovski për vizitë zyrtare në Kosovë.
Në ceremoninë e inaugurimit, presidenti Thaçi takoi edhe presidentin Ilir Meta të Shqipërisë, presidentin Rumen Radev të Bullgarisë, presidentin Aleksandar Vuçiq të Serbisë dhe zyrtarë të lartë të shteteve tjera që morën pjesë në pritjen e organizuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë Veriore. Në të gjitha këto takime u theksua nevoja për marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim ndërfqinjësor për të përshpejtuar integrimin e tërë rajonit në Bashkimin Evropian.