Presidenti Hashim Thaçi i është përgjigjur ish-presidentit e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Thaçi ka thënë se Kosova ka përkrahjen e plotë nga ShBA-ja, NATO e BE-ja për arritjen e marrëveshjes së paqes me Serbinë. Ndërsa ka shtuar se nuk i duhen këshillat nga ata “që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq”.
Ndonëse nuk ka përmendur emrin e Berishës, aludimi duket të jetë i qartë, meqë Berisha në periudhën e përfolur nga Thaçi ka qenë në krye të shtetit shqiptar, derisa vazhdimisht i përmendet dyshimi se në kohë të embargos për Jugosllavinë, Shqipëria i ka shitur naftë Serbisë. Po ashtu pa përmendur emra, ka thënë se ai është dëbuar me votë nga qytetarët.
“Këta që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare”, ka thënë Thaçi.
Presidenti Hashim Thaçi në vazhdën e deklarimeve të shpeshta publike kohëve të fundit, sot ka përsëritur se nuk do të ketë ndarje e as shkëmbim të territoreve, por bashkim të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mënyrë paqësore.
Ai theksuar sërish se ky proces, nëse tregohen të mençur dhe të bashkuar, do të përmbyllet me njohje reciproke Kosovë – Serbi, dhe Kosova do të anëtarësohet në BE, NATO dhe OKB, transmeton Ekonomia Online.
“Nuk duhet t’i përsërisim gabimet siç na ndodhën me vonesën për themelimin e Ushtrisë së Kosovës apo dhe me votimin e vonuar të demarkacionit me Malin e Zi. Për procesin e dialogut dhe marrëveshjen paqësore, Kosova e ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Në këtë rrugëtim të përbashkët, Kosova nuk do ta ketë asnjë mëdyshje, sepse liria dhe pavarësia e Kosovës, është produkt i sakrificës sonë dhe i mbështetjes euroatlantike”.
Thaçi tutje ka shkruar se Institucioneve të Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e “të dëbuarve me votë masive nga skena politike”.
“Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq”.
“Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit”.
Ndonëse nuk ka përmendur emra, kreu i shtetit ka shkruar se vendit nuk i duhen këshillat as të atyre që, siç thotë, e burgosën komandantin Adem Jashari e Zahir Pajazit dhe të atyre që UÇK-në e quajtën terroriste.
“Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës. Nuk i duhen këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste”.