Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur mirënjohës për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai i ka bërë këto komente në një bisedë me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, Wess Mitchell.
Në një postim në Twitter, Thaçi ka thënë se të dyja palët janë pajtuar për hapa të koordinuar në të ardhmen.
“Ne jemi pajtuar për hapa të koordinuar në të ardhmen. Mbështetja amerikane ka qenë dhe vazhdon të jetë jetike për perspektivën euro-atlantike të Kosovës”, është shprehur presidenti i Kosovës.